Arrestohet njëri prej grabitësve të armatosur që trazoi kryeqytetin në pesë ditët e fundit

Pak minuta pasi ndodhi një grabitje e armatosur në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, policia ka arritur të arrestonte njërin prej grabitësve.
Burimet e IndeksOnline brenda policisë kanë konfirmuar se i dyshuari po intervistohet derisa pjesëtarë të shumtë të policisë janë angazhuar për të kërkuar edhe të dyshuarin tjetër.
IndeksOnline raportoi pak qastë më parë se sot rreth orës 12:30 ka ndodhur grabitje në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku” në Prishtinë.
Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se dy persona të dyshuar/maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash.
Policia po kryen veprimet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
Personat e njëjtë dyshohet të jenë të përfshirë në grabitjen e armatosur që ndodhi më 17 janar 2025, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë./IndeksOnline/