75 Mall Live Search
11:03 / E Mërkurë, 23 Shkurt 2022 / k.v

Arrestohet njëri prej personave që gjuajti me armë në Mitrovicë, policia i gjen armë e drogë në shtëpi

Mesditën e së dielës në qendër të Mitrovicës ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Pas një problemi, dy persona të dyshuar kishin shtënë me armë zjarri disa herë dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

Policia i ishte përgjigjur menjëherë rastit ku në vendin e ngjarjes kishte gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja si dhe gjatë kontrollit policor të tri objekteve poashtu kishte gjetur edhe disa gëzhoja dhe 86 gramë substancë narkotike, shkruan IndeksOnline.

Dy ditë më vonë, hetuesit e policisë kanë arritur të arrestojnë njërin prej të dyshuarve. Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit ku ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, dy fishekë, substanca të dyshuara narkotike, një radiolidhje, dy laptop, një kamerë dhe një telefon celular. Ndërsa në një objekt ndihmës të asaj shtëpie janë gjetur dhe sekuestruar 5 pajisje për prodhimin e kripto-valutave. I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Me urdhër të prokurorit është hapur rasti armëmbajtje pa leje, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe posedim i paautorizuar i substancave narkotike./IndeksOnline/