10:39 / E Enjte, 17 Tetor 2019 / indeksADMonline

Arrestohet personi, që shtinte me armë në shtëpi, policia ia konfiskon ato

Policia e Kosovës, konkretisht, hetuesit nga Stacioni policor Deçan, kanë siguruar informata se një person i dyshuar në vazhdimësi bënte presion, dhunë psikike ndaj familjarëve të tij, duke shtënë me armë, me ç’rast ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm ndaj qytetarëve.

Njësitet policore në Deçan kanë bërë kontrollbastisjen e shtëpisë së personit të dyshuar në fshatin Irzniq-Deçan, transmeton Indeksonline.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit Z. Q. i lindur me 1978 m/k/sh, është gjetur një armë e kalibrit të rëndë (zollë krahu), me ç’rast është thirrur njësiti i deminimit, i cili ka bërë kontrollimin dhe pastrimin e zonës për eksploziv të rrezikshëm.

“Përpos këtij mjeti të rrezikshëm tek i dyshuari janë gjetur dhe janë sekuestruar: dy armë automatike AK-47 të kalibrit 7.62mm , dy pistoleta (kalibër 9x19mm dhe 6.65mm), një armë e rëndë (zoll krahu- antitank), trembëdhjetë (13) karikator për AK-47, treqind e pesëdhjetë (350) fishekë të kalibrit 7.62 mm, dy karikatorë për pistoletë dhe 28 fishekë të kalibrit 9x19mm, nëntë (9) fishekë të kalibrit 6.65 mm,  tri (3) maska të zeza, tri (3) palë targa të targa dhe mjete tjera si prova materiale”, thuhet në komunikatë.

Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe janë fiksuar gjurmët dhe provat e të shtënave me armë brenda shtëpisë.

Personi i dyshuar pas arrestimit është intervistuar edhe për katër (4) raste tjera tëparaqitura në zonën e Deçanit.

Ai me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë./Indeksonline/