Arrestohet Presidenti i Federatës së Futbollit të Afrikës së Jugut

Presidenti i Federatës së Futbollit të Afrikës së Jugut (SAFA), Danny Jordaan (73), u arrestua dhe akuzohet për përdorimin e burimeve të organizatës për qëllime personale, në një çështje mashtrimi dhe vjedhjeje që arrin në 1.3 milion randë (56,700 funta), njoftoi policia.
Jordaan, i cili drejtoi fushatën e suksesshme të Afrikës së Jugut për të pritur Kupën e Botës FIFA 2010, mohoi akuzat në një gjykatë në Johanesburg.
“Sipas akuzave, ndërmjet viteve 2014 dhe 2018, presidenti i SAFA ka përdorur burimet e organizatës për përfitime personale,” thuhet në një deklaratë të policisë.
Ai u akuzua për punësimin e një kompanie private sigurie për mbrojtjen e tij dhe një kompanie për marrëdhënie publike pa miratimin e bordit të SAFA-s, thuhet më tej në deklaratë.
Raportohet se Jordaan ka punësuar firmën e marrëdhënieve publike pasi reputacioni i tij u prek nga një akuzë për sulm seksual që ngriti kundër tij një këngëtare dhe ish-ligjvënëse e Afrikës së Jugut në vitin 2017. Ai mohoi akuzat.
Ai u arrestua “pas një hetimi intensiv nga Hetimi i Krimeve të Rënda Komerciale në Johanesburg në lidhje me akuzat për mashtrim dhe vjedhje prej 1.3 milion randësh,” tha policia.
Jordaan ka qenë president i SAFA që nga viti 2013 dhe u rizgjodh për herë të tretë në 2022.
Ai u arrestua së bashku me shefin financiar të SAFA, Gronie Hluyo, dhe biznesmenin Trevor Neethling, drejtorin e kompanisë së komunikimit të përmendur në akuzat, të cilët gjithashtu i mohuan akuzat.
Gjykata i liroi të tre të arrestuarit me kusht.