11:09 / E Martë, 03 Gusht 2021 / OSH

Arrestohet prishtinasi i cili kreu më shumë se 22 raste të vjedhjeve të rënda

Sot në lagjen Arbëria në Prishtinë, policia ka arrestuar një person të dyshuar për disa raste të vjedhjeve të rënda, raporton IndeksOnline.

Arrestimi i personit ndaj të cili janë 22 urdhëresa aktive të veprës së natyrës së njëjtë,  është bërë në orët e para të mëngjesit, më saktësisht në ora 01:00.

“Edhe pse personi i dyshuar, gjatë operacionit policor,  vazhdimisht ka bërë përpjekje për të ikur nga policia, duke sulmuar zyrtarët policor si dhe në ikje e sipër duke shkaktuar aksident trafiku me lëndime, policia ka arritur që të njëjtin ta arrestoj”, ka bërë të ditur për IndeksOnline zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Tutje  Ahmeti ka thekuar se tretman mjekësor pas gjithë ngjarjes u është ofruar 4 personave, qytetarit të lënduar në aksidentin e shkaktuar nga i dyshuari, dy zyrtarëve policor si dhe personit të dyshuar.

“Personi i dyshuar,  F. H,  mashkull, 32 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas arrestimit me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Përveç rasteve të iniciuara sot, Sulm ndaj personit zyrtar dhe Aksident trafiku me lëndime, ndaj të dyshuarit është zgjeruar hetimi edhe për raste të tjera,  për të cilat ekziston dyshimi i arsyeshëm se i njëjti mund të jetë i implikuar”, tha ajo.

Strukturat Policore të Drejtorisë Rajonale të Prishtinës në kuadër të veprimtarisë për përmbushjen e misionit për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale si dhe vënien para drejtësisë së personave të implikuar në aktivitetete kriminale.