75 Mall Live Search
16:35 / E Shtunë, 09 Gusht 2025 / MSH

Arrestohet shqiptari nga Malësia e Madhe, që trafikonte armë në Itali

Policia e Shtetit ka arrestuar një shtetas me inicialet F.M., 30-vjeçar, nga Malësia e Madhe, si pjesë e operacioni për goditjen e trafikimit të armëve.

Operacioni u zhvillua nga policia e Lezhës në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale Shkodër dhe GdF italiane, në koordinim me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës italiane në Shqipëri.

Shtetasi F.M. kishte dërguar pesë armë zjarri dhe një sasi municioni luftarak në Itali kundrejt fitimit financiar.

Në pranga u vunë gjithashtu edhe dy shtetas të tjerë, drejtues të një mikrobusi për transport udhëtarësh, në bagazhet e të cilit u gjetën armët dhe municioni luftarak, të cilat janë konfiskuar.

Sekuestrimi u bë në kufirin mes Sllovenisë dhe Italisë, ku u ndalua mikrobusi i nisur nga Shqipëria me destinacion Italinë, i drejtuar nga shtetasit E. M. dhe A. D. Të dy këta shtetas janë shoqëruar nga policia italiane për veprime të mëtejshme, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale ndaj shtetasit F. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për trafikim i armëve dhe municioneve luftarake.