75 Mall Live Search
11:02 / E Premte, 19 Prill 2019 / indeksADMonline

Arrestohet shtetasi i Shqipërisë, vodhi 125 € në xhaminë e Gjilanit

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, dje rreth orës 17h, ka ndaluar të dyshuari E.SH., për 48 orë, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vjedhje e rëndë’’, në një xhami në Gjilan.

 Ekziston dyshimi i bazuar se, gjatë ditës së djeshme, më 18 prill 2019, rreth orës 17h, i dyshuari E.SH. (1989), kishte hyrë brenda xhamisë, në lagjen ‘’Dheu i Bardhë’’, në Gjilan, me ç’ rast nga arka e xhamisë, duke përdorur një mjet prej fije teli,  kishte arritur të nxjerrë 125 (njëqind e njëzet e pesë) euro.

Ndërkaq, në raportin e policisë thuhet se i dyshuari është shtetas i Shqipërisë, transmeton Indeksonline.

Të dyshuarin, gjatë kryerjes së kësaj vepre penale, e kishte vërejtur një person që kishte qenë në katin e dytë të xhamisë, i cili menjëherë e kishte lajmëruar imamin e kësaj xhamie.

 Prokurori kujdestar, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, sot, ndaj të dyshuarit do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në Gjykatën Themelore në Gjilan.