09:50 / E Mërkurë, 08 Prill 2020 / indeksADMonline

Arrestohet togeri i policisë në Gjilan, nuk e respektoi oren policore

Një zyrtar policor në komunën e Gjilanit mbrëmë është arrestuar dhe suspenduar nga puna pasi nuk ka respektuar orën policore, shkruan IndeksOnline.

Togerit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Komunikata:

Hetuesit e Inspektoratit Policor janë njoftuar dje në orët e mbrëmjes nga policia lidhur me dyshimet se një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare (me gradën e togerit) nuk ka përfillur urdhrat bazuar në vendimet qeveritare lidhur me pandeminë Covid 19.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me prokurorin kujdestar.

Personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se ka kryer veprën penale “Mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.