Arrestohet “Tony Montana” i Shqipërisë

Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona, të cilët ishin shpallur në kërkim. Dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Njëri prej të të arrestuarve është Filip Shtjefni, i njohur ndryshe si “Tony Montana” i Lezhës. Ky i fundit sipas policisë ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor – Lezhë e ka dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale: “Heqje e paligjshme e lirisë”.
Në vitin 2016 ai ka mbajtur pa dëshirën e tij një të re, e identifikuar asokohe si Eglantina Metolli, të cilën e shfrytëzonte për prostitucion.
Njoftimi i plotë i policisë
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim
Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim për veprat penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”
Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, nga shërbimet e policisë – Lezhë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë nr.6 – Tiranë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit:
– K.K., 25 vjeç, banues në fshatin Barbullojë, Lezhë.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor- Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale: “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Më 28.10.2020, në afërsi të një lokali në aksin rrugor Milot-Lezhë nga sherbimet e policisë Lezhë është bërë ndalimi i një mjeti me drejtues shtetasin K.K., i cili braktisi mjetin dhe u largua.
Gjatë kontrollit të mjetit, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 27 kg lëndë narkotike canabis sativa, si edhe arrestuan në flagrancë bashkëpunëtorët tij, shtetasi N.T .dhe Z.M.
Gjithashtu, nga sherbimet e policisë – Lezhë është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit Filip Shtjefni, banues në Lezhë, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor- Lezhë e ka dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale: “Heqje e paligjshme e lirisë”, pasi ky shtetas në vitin 2016, ka mbajtur pa dëshirën e saj shtetasen E.M.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor- Lezhë, për veprime të mëtejshme.