Arrestohet vrasësi i 52-vjeçares në Pogradec, dyshohet se kishin lidhje intime

Një i ri i identifikuar si Ilirjan Selmani është arrestuar nga Policia e Pogradecit për vrasjen e 52-vjeçares Kozeta Teço në apartamentin e saj.
Sipas dyshimeve paraprake dhe burimeve të Euronews Albania, 37-vjeçari Ilirjan Selmani dyshohet se ka pasur një lidhje intime me viktimën.
Zbulimi dhe identifikimi i tij si autor i dyshuar ka ardhur pas këqyrjes së kamerave të sigurisë, ku Selmani është parë duke dalë nga një rrugicë rreth orës 05:30 të mëngjesit dhe duke hedhur në kazanin e mbeturinave diçka që më vonë rezultoi të ishin rrobat e tij.
Ekspertët e Policisë Kriminale kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa më pas Ilirjan Selmani është rikthyer sërish në apartamentin e viktimës, i shoqëruar nga forcat e policisë, ku dyshohet se ka treguar dinamikën e plotë të krimit.
Ai më pas ka treguar edhe vendin ku hodhi rrobat, buzë bulevardit kryesor të qytetit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne në lagjen nr. 1 të qytetit të Pogradecit, ku 52-vjeçarja u gjet pa shenja jete në banesën e saj, e përfshirë nga flakët.
Fillimisht u dyshua se vdekja kishte ardhur nga asfiksia, por më pas kamerat e sigurisë ndihmuan në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe çuan tek identifikimi i autorit të dyshuar.
Njoftimi i policisë
“Në vijim të informacionit të dhënë për zjarrin e rënë në lagjen nr. 1, në banesën e shtetases K. T., e cila humbi jetën, bëjmë me dije se:
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ngriti një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë, ka kryer një sërë veprimesh hetimore, përfshirë dhe veprime eksperimentale, për të zbardhur dhe dokumentuar rrethanat e rënies së zjarrit dhe për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës së shtetases K. T., 52 vjeçe.
Nga tërësia e veprimeve të kryera deri tani dyshohet se zjarri në banesën e 52-vjeçares është shkaktuar nga një shtetas.
Bazuar në provat e siguruara, shërbimet operacionale të DVP Korçë kanë shoqëruar disa shtetas, në ambientet e Komisariatit të Policisë Pogradec, ndërmjet tyre edhe autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Veprimet hetimore vijojnë dhe në përfundim do të japim informacion të plotë në lidhje me këtë ngjarje”, thuhet në njoftim.