Kapet 46-vjeçari për kontrabandë mallrash dhe sulm ndaj policëve në Kaçanik

Një operacion i përbashkët i Policisë së Kosovës dhe Doganës ka përfunduar me arrestimin e një personi të dyshuar për kontrabandë dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë, pas një ndjekjeje të rrezikshme në fshatin Korbliq të Kaçanikut.
“Më datën 03.09.2025, rreth orës 14:00, i dyshuari M.S. (M/K), 46 vjeç, është arrestuar nga Policia Kufitare e Rajonit Lindje. Pas intervistimit nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore. Prokuroria kompetente ka cilësuar rastin si “Sulm ndaj personave zyrtarë”, ndërsa për kontrabandën me mallra hetimet do të zhvillohen nga Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kufitare”, thuhet në njoftim.
E i dyshuari i cili u arrestua sot një ditë më parë refuzoi ta ndalojë automjetin i cili dyshohet se kishte ngarkesa të paligjshme dhe gjatë ndjekjes ka goditur qëllimisht automjetin e policisë, ku si pasojë tre policë kanë pësuar lëndime
“Më 2 shtator 2025, rreth orës 19:30, Task Forca e Drejtorisë Rajonale Kufitare Lindje tentoi të ndalojë një automjet të tipit “Mercedes” kombi, të dyshuar për ngarkesë të paligjshme. I dyshuari refuzoi ndalimin dhe, gjatë ndjekjes, goditi qëllimisht automjetin zyrtar të policisë, duke e rrokullisur atë jashtë rruge. Si pasojë, tre zyrtarë policorë pësuan lëndime të lehta trupore dhe, pas trajtimit në spitalin rajonal të Gjilanit, u liruan”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftim po ashtu thuhet se automjeti i dyshuar u gjet i braktisur pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut dhe rezultoi i ngarkuar me mallra të kontrabanduara me vlerë të vlerësuar ndërmjet 23,794 € deri 29,877 €.
Nga kontrolli në automjet u sekuestruan:
- 270,000 copë (13,500 kuti) cigare “Grand”
- 1,600 kg fara kungulli të pjekura
- 460 kg fara luledielli të pjekura
- 100 kg fara braziliane
- 40 kg ananas të tharë
- 20 kg banane të thara
- 113.4 kg brusnica të thara
Të gjitha mallrat u dorëzuan Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore.