Arreston tre pesona të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare

Policia e Kosovës, përkatësiht Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, pas veprimeve hetimore në bashkërendim me prokurorinë e shtetit si edhe me urdhër të gjykatës, ka realizuar një operacion policor nën dyshimet për përfshirje të disa personave të dyshuar në kryerje të veprave penale si: “Lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit”, “Vjedhje e identitetit dhe kredencialeve” dhe “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”.
Sipas njoftimit operacioni policor është realizuar më 31.07.2025 në rajonin e Prishtinës, ku fillimisht janë arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë përdorur kartela të bardha bankare (blanko), si edhe kanë shpërndarë video përmes rrjeteve të ndryshme sociale, duke tërhequr para në bankomate të ndryshme dhe kanë përdorur disa faqe në rrjete sociale për të promovuar këto lloj kartelash.
Po ashtu është bërë e ditur se lidhur me rastin gjatë kontrollit janë gjetur pajisje kompjuterike si dëshmi në vendin e ngjarjes ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
Dy (2) kompjuterë;
Një (1) llaptop;
Dy (2) telefona mobilë;
Tri (3) USB;
Një (1) HDD;
Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm, kështu që me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit janë ndaluar 48 orë.
Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve intensive të njësive përkatëse policore të cilat kanë vazhduar, më 01.08.2025 është ndaluar edhe i dyshuari i tretë mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e grupit të personave të lartcekur, i cili po ashtu me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./Indeksonline/