Arsenal armësh i konfiskuar gjatë këtij muaji në veri, këto ishin aksionet e suksesshme të policisë (Foto)

Brenda këtij muaji, Policia e Kosovës në disa raste ka gjetur arsenal armesh në zonën e veriut që i përkasin grupeve kriminale serbe, transmeton IndeksOnline.
Me 5 shtator, hetuesit e policisë, në bashkëpunim me organe tjera të sigurisë, kanë trajtuar një informatë nën dyshimin se në një shtëpi në Zveçan ka armë dhe mjete tjera ushtarake. Po atë ditë, në koordinim me organet e drejtësisë, policia ka kryer një kontroll të detajuar në shtëpinë, pronë e L.G., (viti i lindjes 1948, mashkull serb kosovar) në Zveçan, ku ka gjetur dhe konfiskuar arsenal armësh, kallashnikovë, granata dore, mina anti-këmbësorie, municion të ndryshëm e pajisje të shumta ushtarake.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme, policia në veri ka gjetur dhe konfiskuar vetura të mbushura me armatim i cili sot do të ekspozohet para mediave për të parë nga afër armët që posedonte grupi terrorist i cili vrau në kryerje të detyrës zyrtare, rreshterin Afrim Bunjaku.

Mbrëmë në orët e vona intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë kishte rënë, por situata e sigurisë ende vazhdon të jetë e tensionuar, përderisa njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve, përfshirë automjetet që kanë qenë përreth manastirit në Banjskë, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh.

Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri në gjithë territorin e Republikës dhe në mënyrën më profesionale ka kryer aksionin e djeshëm duke vrarë tre nga sulmuesit dhe duke prangosur gjashtë të tjerë që ishin të armatosur e të uniformuar. /IndeksOnline/