75 Mall Live Search
19:35 / E Diele, 03 Shtator 2023 / C E

Arsenali e fiton me spektakël derbin ndaj Man Unitedit

Arsenali ka regjistruar fitore në derbin e javës së katërt në Premierligë, ndaj Manchester Unitedit.

Ndeshja e zhvilluar në “Emirates Stadium” përfundoi me rezultatin 3:1.

Përballja ishte tejet interesante dhe e fortë, teksa u vendos në fundin e saj.

Pjesa e parë u mbyll baras. Fillimisht kaluan në epërsi “Djajtë e Kuq” me golin e Marcus Rashford (27’), teksa “Topçinjtë” barazuan përmes Martin Odegaard (28’).

Alejandro Garnacho (88’) shënoi për epërsinë e skuadrës mysafire, por që goli iu anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.

E shtesat e ndeshjes ishin krejtësisht për skuadrën e Mikel Artetas. Fillimisht shënoi Declan Rice (90+6′), e pastaj fitoren e vulosi Gabriel Jesus (90+11′).

Arsenali pas kësaj fitore ka 10 pikë dhe renditet i pesti në tabelë, kurse Manchester United zbret në pozitën e 11-të me gjashtë pikë.