Arsenali prezanton transferimin e Noni Madueke

Arsenal ka zyrtarizuar transferimin e anësorit Noni Madueke nga Chelsea.
Reprezentuesi 23-vjeçar i Anglisë, i cili kaloi tre sezone në “Stamford Bridge”, bëhet përforcimi i katërt i Arsenalit në këtë afat kalimtar vere. Ai do të mbajë fanellën me numrin 20 te “Topçinjtë”.
Madueke është gjithashtu lojtari i dytë që kalon nga Chelsea te Arsenali këtë verë, pas portierit Kepa Arrizabalaga.
Në mesazhin e tij lamtumirës në Instagram, Madueke shkroi:
“Për çdo anëtar të stafit që më ndihmoi gjatë këtij rrugëtimi – faleminderit. Për shokët e skuadrës – faleminderit për gjithçka, largohem vetëm me dashuri dhe admirim për ju. Arritëm shumë këtë sezon dhe me të vërtetë ju uroj vetëm më të mirën.
Për Enzo Maresca – ishte një privilegj të luaja nën drejtimin tënd, faleminderit që u përpoqët të më përmirësoni si lojtar dhe si njeri.
Së fundi, faleminderit çdo tifozi të Chelsea – për dashurinë, lavdërimet, por edhe kritikat. I vlerësoj të gjitha. Largohem me kujtime të bukura.”
Në intervistën e parë si lojtar i Arsenalit, Madueke u shpreh:
“Unë jam dikush që ndjek ndjesinë e brendshme dhe ajo më ka udhëhequr në drejtimin e duhur deri tani. Nuk besoj se do të jetë ndryshe këtu.
Kjo është një skuadër e shkëlqyer, me identitet të qartë, dhe mezi pres të sjell stilin tim në ekip dhe të ndihmoj sa më shumë djemtë për të hedhur hapin tjetër përpara.”
Madueke ka lindur më 10 mars 2002 në Barnet, Londër, dhe e ka nisur karrierën te Crystal Palace, më pas te Tottenham Hotspur, për të firmosur më pas me PSV Eindhoven. Ai zhvilloi 80 ndeshje me klubin holandez ndërmjet viteve 2019 dhe 2023, përpara se të kalonte te Chelsea në janar 2023.
Ai shënoi golin e tij të parë për “Blutë” në një humbje 3-1 pikërisht ndaj Arsenalit. Në gusht 2024, realizoi het-trikun e parë të karrierës në një fitore 6-2 në fushën e Wolverhampton Wanderers. Madueke e përfundoi sezonin 2024/25 duke luajtur titullar në finalen e UEFA Conference League, të cilën Chelsea e fitoi 4-1 ndaj Real Betis në Wroclaw të Polonisë.
Në total, ai regjistroi 92 ndeshje dhe 20 gola për Chelsea në të gjitha garat.
Debutimi i tij me Anglinë erdhi në shtator 2024 dhe deri tani ka grumbulluar shtatë paraqitje me kombëtaren.
Madueke mund të debutojë me fanellën e Arsenalit në miqësoren e parasezonit kundër AC Milan më 23 korrik në Singapor. Sezonin 2025/26, “Topçinjtë” e nisin më 17 gusht kundër Manchester United.