Arsenali refuzon Maldinin, nuk ia shet mesfushorin
Transferimi i Lucas Torriera te Milani nuk ka për të qenë aspak i lehtë, ndoshta i pamundur për t’u realizuar këtë verë. Mesfushori uruguajan, që aktualisht luan me Arsenal, është një nga lojtarët që trajneri i ri i Milanit, Marco Gianpaolo i ka kërkuar Paolo Maldini.
Drejtori sportiv i kuqezinjve ka nisur të lëvizë për të përmbushur këtë kërkesë të trajnerit, duke kontaktuar me drejtuesit e Arsenal. Gjithsesi, përgjigjja që ka marrë nga skuadra britanike ka qenë negative. Arsenal ka refuzuar të shesë lojtarin që e bleu një sezon më parë për 30 milionë euro nga Sampdoria.
Torriera ka luajtur në 34 ndeshje në Premier League këtë sezon, duke realizuar edhe dy gola, duke qenë një nga njerëzit më të besuar të trajnerit Unai Emery. Ka qenë pikërisht trajneri spanjoll që ka vënë veton, duke refuzuar të shesë mesfushorin 23-vjeçar.