75 Mall Live Search
14:35 / E Diele, 29 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Arsenali tregon arsyen e mungesës së Xhakës

Arsenali ka njoftuar se Granit Xhaka nuk është pjesë e skuadrës që do të përballet sot me Chelsean, në ndeshjen e fundit në vitin 2019, në një kohë pasigurie për të ardhmen e mesfushorit shqiptar.

Skuadra e Mikel Artetës, për të cilin do të jetë testi i parë serioz pas emërimit trajner i “Topçinjve” këtë muaj, e pret Chelsean në Emirates Stadium, duke e ditur se vetëm fitorja do t’ia mbajë gjallë shpresat për top katërshe.

Në debutimin e tij si trajner, Arteta e vendosi Xhakën titullar në barazimin 1:1 me Bournemouth në mesjavë, por përfaqësuesi i Zvicrës mungon në skuadrën e përzgjedhur sot nga spanjolli për ballafaqimin derbi me Chelsean.

Arsyeja e mungesës së 28-vjeçarit është ftohja, sipas klubit të tij Arsenal. “Xhaka mungon në ndeshjen e sotme për shkak të sëmundjes”, shkroi në Twitter klubi nga Londra Veriore.