Arsim Thaqi: Rezultati në ndeshjen e parë ndaj Sheriffit nuk ishte real

Trajneri i skuadrës së Prishtinës, Arsim Thaqi, është paraqitur në konferencën për media para ndeshjes kthyese ndaj Sheriff Tiraspol.
Thaqi tha se humbja prej 4 me 0 në ndeshjen e parë nuk ishte rezultat real dhe se forcat e dy skuadrave do të shihen nesër në ‘Fadil Vokrri’.
“Është humbje që mendoj se është e thellë, nuk është rezultat real. Por, forcat e të dyja ekipeve mendoj se do të tregohen nesër para tifozëve tonë. Kështu që shpresoj që gjërat të shkojnë ashtu siç i kemi planifikuar ne, dhe normal për ne do të ishte shumë e rëndësishme fitorja, me çfarëdo rezultati. Kuptohet që duhet të pretendojmë pastaj dhe të përgatitemi për ndeshjen e Ligës së Konferencës pas një jave”, ka thënë Thaqi në konferencë për media.
“Kjo ndeshja e dytë kuptohet se nuk kemi çfarë të humbim, do të luftojmë maksimalisht, sidomos në pjesën e parë do të provojmë të bëjmë ato që lojtarët dinë të bëjnë më së miri, e pastaj normalisht kuptohet përveç të pretendojmë më tepër sesa ndoshta që duket diçka imagjinare, është futboll në fund të fundit, dhe pse të mos provojmë, nuk kemi çfarë të humbim në këtë rast. E kemi edhe një mundësi tjetër siç është Liga e Konferencës, ta përgatisim ekipin edhe për atë ndeshje”, ka theksuar ai.