Arsyetimi i Ministrisë së Arsimit për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të UP-së dhe emërimit të 4 anëtarëve të rinj

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj ka shkarkuar sot anëtarët e bordit të Universitet të Prishtinës. Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se gjatë ditës së sotme Likaj mori vendim për shkarkimin këtij bordi që përbëhej nga katër anëtarë: Muharrem Bajrami, Fisnik Reçica, Mentor Geci dhe Muzafere Limani.
Përpos kësaj, i pari i ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka emëruar edhe Bordin e Ri të Drejtorëve të Universitetit të Prishtinës.
Emrat e ri të këtij bordi janë: Mimoza Hasani Pllana, Arton Demhasaj, Merita Bogaj dhe Ujkan Bajra. Në dokumentin e siguruar nga Indeksonline bëhet i ditur arsyetimi për ndryshimet e fudit që bëri Likaj.
“Me rastin e emërimit të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ sipas vendimit të datës 13.05.2020’ përmes të cilit janë emëruar tre anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së në vazhdimësi ka pasur reagime publike, të cilat kanë zbehur besueshmërinë e publikut në Këshillin Drejtues të UP-së si dhe besueshmërinë e Këshillit Drejtues për të vepruar në përputhshmëri me vizionin dhe parimet e mishëruara në statutin e UP-së. Këshilli Drejtues i UP-së si organ i lartë menaxhues duhet të reflektojë në përbërjen e tij politikat strategjike të cilat janë në përputhje me ato të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Për më tepër që të dyja vendimet e shfuqizuara janë nxjerrë gjatë kohës sa Qeveria e Kosovës ka qenë në dorëheqje, pas votimit të mocionit të mosbesimit të saj”, thuhet në arsyetim.
Gjithashtu ut theksua se me qëllim të ri-funksionalizmit dhe përmbushjes në mënyrë efikase të përgjegjësive si dhe me qëllim të zhvillimit të përmbushjes së qëllimeve që mishërohen në statutin e UP-së, por duke pasur parasysh edhe faktin që vendimet e shfuqizuara janë nxjerrë në kohën e qeverisë në dorëheqje, është vendosur si në dizpoitiv të këtij vendimi.
Të shkarkuarit nga ministri Likaj ishin emëruar nga ministrja e kaluar e Arsimit nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ./Indeksonline/

