75 Mall Live Search
13:05 / E Shtunë, 14 Tetor 2023 / Gj. Sh

Artan Grubi pret në takim “bomberin” e Shqipërisë, Taulant Seferin

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka pritur në zyrën e tij sulmuesin e kombëtarës së Shqipërisë, Taulant Seferin.

Seferi shkëlqeu të enjëten mbrëma në fitoren 3-0 ndaj Çekisë, duke shënuar 2 gola, shkruan IndeksOnline.

Grubi e uroi sulmuesin nga Kumanova për paraqitjen e tij dhe i dëshiroi sukses në rrugën drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian.

“Nën emocionet e fitores së madhe të Kombëtares Shqiptare të Futbollit ndaj Çekisë dhe hapit të madh përpara drejt Euro 2024 në Gjermani, me kënaqësi mirëprita sot në takim golashënuesin e dy golave vendimtare, futbollistin nga Kumanova, Taulant Seferin.

E përgëzova Taulantin për paraqitjet e tij të shkëlqyeshme, shpirtin dhe zemrën që i jep fanellës kuq e zi në çdo përballje bashkë me shokët e skuadrës dhe krenarinë që kanë mbjellur në zemrat tona.

Suksesi i kombëtares qëndron në rrënjët e bashkimit! Urova që rrugët e fitoreve të vazhdojnë dhe në nëntor të festojmë arritjen e madhe të kualifikimit mes më të mirëve të Europës!”, ka shkruar Grubi në Facebook./IndeksOnline/