10:55 / E Hënë, 18 Tetor 2021 / OSH

Artisti kosovar me ekspozitë në Angli mbi traumat e luftës

Artisti kosovar Petrit Halilaj ka hapur ekspozitën e tij më të fundit në Tate St Ives të Anglisë, raporton IndeksOnline.

E, hapja e kësaj ekspozite ka rënë edhe në sytë e Wallpaper, revista e famshme mbi arkitekturën, modën dhe artin.

Kjo e fundit, ka shkruar një artikull fascinues mbi kosovarin, duke filluar me eksperiencën që e ka bërë Petritin atë që është sot: lufta.

“Më 1999, kur Petrit Halilaj ishte 13 vjeç, trupat serbe pushtuan Kosovën dhe e detyruan atë dhe familjen e tij të shkojnë në kmape refugjatësh pranë Shqipërisë”,  fillon përshkrimi për fëmijërinë e hershme të Halilajt, që do të shndërrohej më vonë në një artist të zëshëm, pikërisht nga kjo përvojë.

Ekspozita e tij në Tatë St Ives do të jetë poashtu një pjesë e biografisë së tij, e cila, përsëri, ka të bëjë me luftën në Kosovë.

Halilaj duke u përgaditur për ekspozitën e Tate St Ives

“Për një kohë shumë të gjatë, kam preferuar të mos flas për të, ose të mos e mbaj mend në detaje, sepse jam magjepsur nga ajo që mund të bëj sot, duke folur me identitetin personal dhe kombëtar, dhe çfarë do të thotë në një shkallë më të madhe”, ka thënë Halilaj për Wallpaper.

Përjetimet e tij nga lufta i shkaktuan trauma, të cilat, Halilaj, si një 13 vjeçar nga fshati Kostërc i Skenderajt, u mundua t’i bartë në letra, duke vizatuar gjatë gjithë kohës sa ishte në kampin e refugjatëve.

Petrit Halilaj në kampin e refugjatëve, bashkë me psikologun italian Giacomo ’Angelo’ Poli

Këto përjetime e bën Halilajn të jetë një nga artistët më të përfolur të Biennales së Berlinit në vitin 2010, ku e bëri një instalacion imitim të shtëpisë së tij të djegur në fshatin Kostërc.

Instalacioni i skeletit të shtëpisë së djegur të Petrit Halilajt, e shfaqur në Berlin Biennale, 2010

Lidhjen e tij emocionale me shtëpinë, Petriti e shkriu aq shumë në atë instalacion, sa që  shtoi edhe detaje të fëmijërisë në fshat: pulat.

Instalacionet që ka përgaditur për ekspozitën në Tate St Ives, kësaj radhe do të mishërojnë siluetën e artistit, të pasqyruara me pëllumba dhe shpezë të tjera.

Halilaj duke u përgaditur për ekspozitën e Tate St Ives

Puna i është vlerësuar edhe në vendlindjen e tij, me instalacionin e kupolave të luleve në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Kupolat e luleve të punuara nga Halilaj në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

Ekspozita e tij mbi reflektimin për traumat e luftës është hapur në Tate St Ives më 16 tetor dhe do të jetë në dispozicion të audiencës deri më 16 janar të vitit të ardhshëm.