As koronavirusi s’i bëri bashkë kandidatët në Podujevë, më e rëndësishme vota për ta se sa mielli

E diela e 15 marsit 2020, sipas vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ishte dita kur qytetarët llapjan do duhej t’u drejtoheshin kutive të votimit, në zgjedhjet e jashtëzakonshme, pasi që kryetari Agim Veliu dha dorëheqje pas vendimit të tij, të bëhej ministër i Punëve të Brendshme.
Por, krejt kjo situatë u vu në pikëpyetje pas datës 13 mars 2020, kur në Kosovë u konfirmuan 2 raste Corona Virusit Covid-19. Tashmë edhe Kosova u fut në hartën e vendeve të përfshira nga një virus i tillë.
Qeveria e vendit morën edhe një sërë masash të cilat do t’i kontribuojnë ngadalësimit të përhapjes, nëse jo të parandalimit të tërësishëm.
Megjithatë, edhe përkundër kësaj situate e cila kishte vënë në tension dhe panik të madhe qytetarët e vendit, e shtuna në Podujevë ishte në heshtje të plotë parazgjedhore, shkruan Indeksonline.
Qytetarët e kësaj komune nuk e kishin shqetësimin e zgjedhjeve, përveç militantëve partiakë e politikë.
Anipse tradicionalisht dita e shtunë është ditë pazari në komunën e Podujevës, kjo e shtunë e këtij 14 marsi ishte ndryshe, madje krejtësisht ndryshe nga të tjerat.
Pazaret e vetme që bëheshin, ishin kërkesat për të blerë miell dhe një vërshim i madh në drejtim të barnatoreve.
Heshtja parazgjedhore ishte kthyer edhe në heshtje qytetare. Tashmë, qendra e qytetit e kthyer në një punishte, edhe ashtu kishte përmbysur funksionimin e bizneseve dhe qarkullimin e qytetarëve në qendër.
Megjithatë, fokusin e mori pikërisht periferia. Ishin mullinjtë , ku qytetarët prisnin në kolona të gjata për t’u furnizuar me miell.
Po kështu, kolona të gjata vëreheshin edhe tek barnatoret përballë spitalit të qytetit.

Anipse, qytetarët nuk arrinin të siguronin ato që kërkonin, përfshirë këtu maskat e ndryshme, për çka kërkesa ishte e jashtëzakonshme.
Heshtje e gjithanshme, përveç në minimarktet e mëdha, ku qytetarë të shumtë kishin mësyrë të furnizoheshin me ushqime të ndryshme, duke bërë kështu edhe furnizime rezervë.
Kafiteritë tashmë ishin të mbyllura, por rrugët ishin të mbushura me qytetarë të shumtë, udhët e të cilëve ishin në drejtim të barnatoreve, marketeve dhe drejt mullirit.
Edhe përkundër kësaj situate, asnjë reagim nuk pati nga kandidatët për kryetar të kësaj komune.
Të cilët, nëse asgjë më shumë apo më pak, nëse do të mendonin për qytetarët e komunës së tyre, do të mund të bëheshin të gjithë se bashku, në një konferencë të përbashkët, apo me një deklaratë të përbashkët të kërkonin nga KQZ-ja, apo nga president i vendit që zgjedhjet të shtyheshin, me të vetmin qëllim, mbrojtjen e qytetarëve nga mundësia e përhapjes së këtij virusi.
Por, një gjë e tillë nuk ndodhi. Megjithatë, ndodhi ajo që do duhej të ndodhte. President i vendit, mori vendim për shtyrjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunës në Podujevë, pas pranimit të rekomandimit nga Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Ky ishte vendimi më i duhur, më i drejtë për ruajtjen e jetës së qytetarëve të kësaj komune, por njëkohësisht edhe për gjithë stafin e paraparë që të angazhohej në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Qytetarët llapjan i gjenë të heshtur e diela e 15 marsit 2020, pas heshtjes së krijuar jo nga heshtja zgjedhore, por nga kujdesi i shtuar për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.

Megjithatë, ata sot janë dukshëm më pak të ekspozuar përballë një mundësie të tillë, por edhe dukshëm më të sigurt pas një vendimi të tillë.
Më e rëndësishme se vota, dhe se zgjedhja e një kryetari të komunës, është shëndeti dhe jeta e qytetarëve.