‘As nuk u bonë me Albinin e as mes vete’ – Molliqaj: Asnjë qëndrim nuk e kanë
Kryetari i Partisë Social-Demokrate, Dardan Molliqaj në Politiko ka treguar pse ai dhe bashkëpartiakët e tij, gjatë ditës së sotme kanë shpalosur disa pankarta para zyreve qendrore të PDK-së dhe LDK-së, duke thënë se Kryetarët e këtyre dy partive janë anëtarë nderi të Lëvizjes Vetëvendosje.
Molliqaj ka reaguar edhe për takimet e fundit politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, duke theksuar se përfaqësuesit politikë duhet të kenë qëndrime të qarta partiake para se të marrin pjesë në takime të tilla zyrtare.
Sipas tij, kur një kryetar partie ftohet në një takim formal nga kryeministri për një çështje kaq të rëndësishme si zgjedhja e presidentit, ai duhet të përfaqësojë qartë qëndrimin e subjektit që drejton.
“Kur shkon në një takim të tillë, duhet ta kesh të qartë çfarë mendon partia jote. Ne i kemi anëtarësuar njerëzit në parti që të përfaqësojnë një qëndrim të përbashkët, jo të shkojnë pa asnjë kriter e pa asnjë pozicion,” është shprehur Molliqaj.
Ai ka kritikuar qasjen e këtyre dy partive duke thënë se nuk është e logjikshme që gjatë vitit 2025 të refuzohen takimet me kryeministrin, ndërsa më pas të merret pjesë në takime pa qëndrime të qarta.
“Gjatë gjithë vitit 2025 nuk u bënë me Albinin. LDK thoshte nuk e takojmë, PDK thoshte as nuk duam të na thërrasë. Unë i kam mbështetur për këtë qëndrim, sepse kam menduar se nuk është dashur. Por nuk mund të shkosh pastaj në takim dhe të thuash vetëm ‘jemi të interesuar që vendi të mos shkojë në zgjedhje’, pa pasur kritere dhe pozicion të qartë,” ka deklaruar ai.
Molliqaj theksoi se pjesëmarrja në takime të nivelit të lartë shtetëror duhet të jetë e bazuar në parime politike dhe në përfaqësim të qartë të vullnetit të partisë, e jo vetëm në prezencë formale./Indeksonline/

