‘As serbi nuk do të na e bënte!’, Banorët e Valbonës shpërthejnë në lot teksa IKMT shemb bujtinat: Na p*shkatonii më mirë…

Aksioni i prishjes së bujtinave në Valbonë ka vijuar sërish sot me ndërhyrjen e IKMT dhe forcave të rendit, duke shembur godina të ndërtuara prej druri nga banorët vendas, të cilat përbëjnë të vetmen mundësi mbijetese në një nga zonat më të izoluara dhe më të braktisura të Shqipërisë.
Në mes të pluhurit, fadromave dhe policisë, dëgjohen zërat e dhimbjes dhe revoltës, banorë të dëshpëruar që shohin të shembet e vetmja pasuri që kanë ngritur me duar dhe me borxhe.
Një çift i moshuarish, që jeton prej vitesh në Valbonë, kanë shpërthyer në lot dhe akuza të forta ndaj qeverisë, ndërsa bujtina e tyre tre-dhomëshe, ndërtuar këtë vit, po përgatitet për shembje.
“As serbi nuk na e bënte këtë! Jemi në tokën tonë, në shtëpinë tonë! Është gjynah, jemi shqiptarë, shqiptari shqiptarit nuk ja bën këtë! Ky është gazep!”, thotë burri i moshuar, ndërsa sheh punëtorët që përgatiten për t’i futur fadromën në shtëpi.
Ai tregon se ndërtimi është bërë me para borxh, se fëmijët i ka jashtë shtetit dhe kjo bujtinë ishte i vetmi burim jetese.
“Këto i kemi me mund. I kemi paguar gjithçka, edhe dritat. Kur po e ndërtonim, erdhi policia dhe na tha ‘ju ecët mbarë’. E sot, na shembin gjithçka! Me mirë të na kishin pushkatuar!”, shprehet ai me revoltë.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij, me sytë me lot, shton:“Këto shtëpi pa na vra nuk shemben. Janë me lagështirë, me baltë, punojmë për një copë bukë. Këtë vit i bëmë, e e dinim ku ishim. E sot ja ku jemi… pa mëshirë.”
Të dy kërkojnë që qeveria të ndalë këtë masakër të ndërtimeve të thjeshta që i shërbejnë turizmit dhe mbijetesës së banorëve vendas.
“30 vite ja kam dhënë votën këtij Ramës, e sot më më pushkatoi! Nuk e prisja këtë, nga vet shqiptarët! Kërkojmë vetëm të mos na i prishin është gjynah!”
Bujtinat janë ndërtuar këtë vit, sipas banorëve, me materiale druri dhe pa ndikim në mjedis. Janë ndërtime të ulëta, jo pallate apo resorte, që mirëpresin turistët gjatë sezonit veror. Por për autoritetet, ato cilësohen ndërtime pa leje dhe po shemben pa asnjë mëshirë.
Pamjet që vijnë nga Valbona tregojnë një realitet të hidhur: shqiptarë që qajnë përpara shtetit të tyre, që u shkatërron atë pak që kanë, ndërsa kërkojnë drejtësi, ose të paktën, pak mëshirë.