Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton sot për krijimin e një shteti palestinez

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të votojë këtë të premte një rezolutë të propozuar nga Franca dhe Arabia Saudite, e cila synon ringjalljen e zgjidhjes me dy shtete midis Izraelit dhe palestinezëve, duke përjashtuar Hamasin nga procesi politik.
Dokumenti përfshin dënimin e sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, kërkon lirimin e të gjithë pengjeve dhe bën thirrje për përfundimin e luftës në Gaza.
Në deklaratë theksohet se Hamasi duhet t’i japë fund sundimit të tij në territor dhe të dorëzojë armët tek Autoriteti Palestinez, me mbështetje ndërkombëtare, si hap drejt krijimit të një shteti sovran dhe të pavarur palestinez.
Rezoluta kërkon gjithashtu “veprim kolektiv për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të arritur një zgjidhje të drejtë, paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez, bazuar në zbatimin efektiv të zgjidhjes me dy shtete”.
Qeveria e Izraelit ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e një shteti palestinez dhe ka kritikuar OKB-në për fokusin ndaj veprimeve të saj, duke akuzuar organizatën për mungesë dënimi të Hamasit. Tel Avivi e ka cilësuar njohjen e mundshme të shtetit palestinez si një “çmim për terrorin”.
Votimi i sotëm i paraprin një samiti ndërkombëtar në Nju Jork më 22 shtator, të bashkëkryesuar nga Franca dhe Arabia Saudite, ku presidenti francez Emmanuel Macron ka premtuar se Parisi do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez. Disa vende të tjera kanë shprehur qëndrime të ngjashme./Indeksonline/