18:25 / E Martë, 30 Tetor 2018 / indeksADMonline

Asamblistja e Nismës në Gjakovë interesohet për kushtet e nxënësve në disa fshatra

Asamblistja e Nismës Socialdemokrate në Kuvendin Komunal të Gjakovës, Valentina Alijaj, ka kërkuar nga autoritet komunale që t’i trajtojnë me kujdes shqetësimet e banorëve të fshatit Meqe dhe të disa fshatrave të tjera, ku një mësimdhënës i mëson nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën.

“Kjo nuk është gjë e mirë për nxënësit dhe as për mësimdhënësin. Në anën tjetër, kjo po u krijon probleme edhe vet nxënësve, të cilët kur kalojnë në nivele më të larta, në arsimin e mesëm të ulët, pra në klasën e gjashtë, aty po shfaqen mangësitë e këtyre nxënësve dhe ngecja e tyre në mësime në krahasim me nxënësit e klasave që kanë mësuar në mënyrë të rregullt sipas niveleve”, ka thënë Alijaj.

Fjalimi i plotë i asamblistes Alijaj të mbajtur në Asamblesë Komunale në Gjakovë:

I nderuar kryetar, i nderuar kryesues, kolegë, medie dhe qytetarë të Komunës së Gjakovës,

Shqetësimi im dhe i Nismës Socialdemokrate e më konkretisht i banorëve të disa zonave më të thella rurale, që dua ta theksoj sot, është nga sektori i arsimit.

Janë disa shkolla fillore, si ajo në fshatin Meqe dhe në disa fshatra të tjetra, ku nxënësit nga klasa e I deri në të V i mëson i njëjti mësimdhënës, do të thotë pesë gjenerata janë në po të njëjtën klasë si dhe më të njëjtin mësimdhënës.

Edhe pse Udhëzimi Administrativ e parasheh numrin maksimal të nxënësve nëpër klasa të nivelit I-V, megjithatë as Ligji mbi Arsimin në Komunat e Kosovës e as Udhëzimi Administrativ nuk e parashohin këtë mënyrë të mësimdhënies gjegjësisht të mësimnxënies, pra një mësues për më shumë nivele.

Kjo nuk është gjë e mirë për nxënësit dhe as për mësimdhënësin.

Në anën tjetër, kjo po u krijon probleme edhe vet nxënësve, të cilët kur kalojnë në nivele më të larta, në arsimin e mesëm të ulët, pra në klasën e gjashtë, aty po shfaqen mangësitë e këtyre nxënësve dhe ngecja e tyre në mësime në krahasim me nxënësit e klasave që kanë mësuar në mënyrë të rregullt sipas niveleve.

Një gjë e tillë duhet të merret parasysh nga DKA-ja dhe të trajtohet me kujdes përderisa dihet pesha e arsimit në jetën e secilit individ. Kjo e drejtë është në përputhje me Ligjin mbi arsimin.

Një prej zgjidhjeve që të realizohet një gjë e tillë mund të jetë edhe transporti i nxënësve nga ato zona të thella nëpër shkolla më të mëdha e që janë më afër këtyre vendbanimeve, por edhe duke i sistemuar ata pak arsimtarë dhe stafin tjetër nëpër po ato shkolla.

Faleminderit!