75 Mall Live Search
23:19 / E Shtunë, 17 Qershor 2023 / C E

Asani: E kisha premtuar një gol të shpejtë, nuk do ta harroj këtë mbrëmje

Jasir Asani shënoi golin e parë me fanellën kuqezi, një gol spektakolar me një goditje fantastike nga distanca, duke çliruar nëj stadium ët tërë që po vuante faktin që ndeshja ndaj Moldavisë nuk po zhbllokohej. Sulmuesi kuqezi nuk e fshehu emocionin për golin, teksa falënderoi edhe trajnerin Sylvinho për besimin që i dha.

Ndeshja e dytë dhe goli i parë kuqezi. Sa i kënaqur jeni?
Të gjithëve u kisha thënë se do ta shënoj shumë shpejt golin. Shënova supergol dhe jam shumë i lumtur. Dua të vazhdoj kështu.

Sylvinho duket se ka ditur të marrë më të mirën nga ju…
Që ditën e parë që e kam takuar, ai më ka dhënë mbështetje shumë të madhe, jo vetëm mua por të gjithë lojtarëve. Megjithatë nuk kemi bërë asgjë, pasi na pret një punë shumë e madhe përpara. Falënderoj Sylvinhon për ftesën, pasi më dha mundësinë të tregoj cilësitë e mia.

Te Maqedonia e Veriut duhet të jenë penduar që nuk ju morën në përfaqësuese…
Unë kam pasur shumë dëshirë të madhe të luajë për Shqipërinë dhe jam më i lumturi në botë që ia arrita. Nuk do ta harroj këtë ndeshje, me stadiumin plot dhe me një gol. Shpresoj t’i kemi gjithmonë me vete tifozët, pasi kemi vërtetë nevojë për ta.