Asgjësohen 600 krerë deve në Australi për të parandaluar “kaosin” pas thatësirës
Rreth 600 krerë deve të egra janë asgjësuar këtë javë në Australinë Qendrore për të parandaluar “kaosin” që këto kafshë të etura shkaktojnë në komunitetet e largëta, pas një periudhe të gjatë thatësire.
Sipas SBS News-it, thatësira, e cila është përkeqësuar nga temperatura ekstremisht të larta, ka shtyrë tufat e mëdha të deveve të hyjnë në komunitetet indigjene, duke shkaktuar dëme në tubacionet e ujit dhe gardhet që ndodhen në rrugët e tyre, ndërsa ato kërkojnë burime uji.
Banorët kanë raportuar për grupe të mëdha devesh, që lëvizin së bashku, nga 800 deri në 1 mijë individë, të njohura si “tren devesh”, të cilat mund të shtrihen deri në një gjatësi prej rreth 5 kilometrash në zonat afër Mt. Liebig dhe Papunya.
Për të menaxhuar këtë situatë, një task-forcë e përbashkët, e krijuar nga Qeveria e Territorit Verior, Këshilli Rajonal MacDonnell dhe Këshilli Qendror i Tokës (CLC), ka miratuar një operacion treditor asgjësimi nga ajri, që ka nisur këtë javë. Sipas CLC-së, çdo ditë po vriten rreth 150 deve.
Devet e egra u sollën për herë të parë në Australi në vitin 1840 dhe deri në vitin 2008, numri i tyre arrinte në rreth 1 milion, duke u shpërndarë në territoret e thata të Australisë Perëndimore, Territorit Verior, Australisë Jugore dhe Queenslandit.
Një raport federal për gjendjen e mjedisit ka treguar se Projekti australian për menaxhimin e deveve të egra, gjatë periudhës 2008–2013, largoi më shumë se 160 mijë deve.

