11:42 / E Martë, 02 Prill 2019 / indeksADMonline

Asnjë mjet piroteknik nuk do të lejohet në ndeshjen Gjilani – Drita

Derbi më i madh në Kosovë, Gjilani – Drita për herë të parë pas 17 vitesh do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Duke qenë se numri i shikuesve pritet të jetë shumë i lartë, zyrtarët e Gjilanit janë duke bërë përgatitjet që siguria të jetë në nivelin më të lartë.

Sevdaim Robelli, zyrtar i lartë i klubit ka deklaruar për Indeksonline që nuk do të lejohet të hyjë brenda asnjë mjet piroteknik.

“Ne do të kujdesemi që të mos dëmtojmë stadiumin Fadil Vokrri. Niveli i sigurisë do të jetë si për ndeshjet e Kosovës. Si për Skifterat ashtu edhe për Intelektualët nuk do të lejohet asnjë mjet piroteknik. Sa i përket çmimit të biletave ende nuk kemi vendosur por sigurisht që do të ketë çmime të ndryshme, varësisht nga tribuna” deklaroi Robelli.

Hera e fundit kur Gjilani dhe Drita ishin ballafaquar në stadiumin “Fadil Vokrri” ishte viti 2001 në finale të Kupës. Drita kishte triumfuar pas ekzekutimit të penalltive. /Indeksonline/