Asnjë pushues nga Kosova nuk është lënduar në Turqi

Prej 28 korrikut Turqia është përfshirë nga zjarret. Autoritetet atje kanë njoftuar për 174 vatra zjarri prej të cilave 160 janë vënë nën kontroll. Në këtë kohë, Turqia është një nga vendet e preferuara të pushuesve kosovarë që zgjedhin bregdetin turk për të kaluar ditët e ngrohta të verës.
Megjithatë, fati i mirë është se asnjë kosovar nuk është lënduar gjatë këtyre ditëve. Këtë e konfirmon Unioni i Turizmit të Kosovës që është në kontakt të ngushtë me të gjithë agjencitë turistike si dhe Ambasadën e Kosovës në shtetin turk.
Kryetari i Unionit, Baki Hoti, tha se nuk ka mbërritur asnjë ankesë prej asnjë pushuesi të cilët po qëndrojnë në Turqi.
“Ne kemi marrë një konfirmim nga Ambasada e Kosovës në Turqi dhe mund t’iu them se nuk ka ndonjë rrezik lidhur me vizitat pushuesve. Po ashtu për fatin e mirë nuk kemi asnjë person pushues nga Kosova që është dëmtuar nga këto zjarre. Këtë e konfirmon përveç ambasadës të gjitha agjencitë turistike të cilat operojnë në Kosovë ku asnjë klient i tyre nuk është ankuar sa i përket qëndrimit që janë momentalisht në Turqi dhe gjithçka është në fazat e normales”, tha Hoti.
Hoti thotë se nuk ka asnjë rrezik për pushuesit të cilët kanë rezervuar që të kalojnë pushimet në Turqi, pasi zjarret po vihen nënë kontroll ndërsa edhe ato vatra që kanë mbetur janë jashtë zonës së frekuentimit të pushuesve.
“Sa i përket pjesës së Turqisë ne kemi edhe një shqetësim edhe nga agjencitë turistike të Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës të cilët dëshirojnë t’i kalojnë pushimet në Turqi dhe për këtë kam bërë një kërkesë te Unioni i Turizmit të Kosovës që të shikojë se si është gjendja momentale. Në kemi kontaktuar Ambasadën e Kosovës në Turqi dhe kemi marrë një konfirmim nga ambasada që thotë se ka zjarre por zjarret janë jashtë pikës ku ka frekuentim të vizitorëve, jashtë pjesës së bregdetit,” shtoi ai.