75 Mall Live Search
21:04 / E Mërkurë, 19 Shkurt 2025 / AR

Asteriodi i sapo zbuluar YR4 mban shkencëtarët në ankth – Sa është probabiliteti i përplasjes me Tokën?

Menjëherë pas zbulimit të asteroidit YR4, astronomët vlerësuan probabilitetin e një përplasjeje me Tokën në vitin 2032 në rreth 1.2%. Në fillim të shkurtit, ata rishikuan parashikimin e tyre duke e rritur në 2.2%. Tani, NASA e ka përditësuar përsëri këtë probabilitet, duke e rritur në 3.1%.

Problemi kryesor: Aktualisht, ky asteroid “shqetësues” po udhëton nëpër hapësirën e errët shumë larg Tokës. Drita e tij është jashtëzakonisht e ulët, gjë që e bën të vështirë përcaktimin e saktë të trajektores së tij, transmeton Indeksonline.

Eksperti i hapësirës dhe studiuesi planetar Rainer Kresken i tha gazetës BILD:

“Ajo që do të bëjë asteroidi mbetet ende shumë e pasigurt. Ndryshimet e vazhdueshme në llogaritjen e probabilitetit tregojnë se ne ende nuk e dimë saktësisht orbitën e tij. Do të na duhet të presim edhe disa muaj për të pasur siguri përfundimtare.”

Madje edhe madhësia e asteroidit mbetet subjekt spekulimesh. Vlerësohet se YR4 ka një diametër nga 40 deri në 90 metra. Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) thekson se:

“Rreziku i një asteroidi me madhësi 40 metra është shumë ndryshe nga ai i një asteroidi 90 metra.”

Megjithatë, edhe nëse ka një diametër prej 90 metrash, YR4 nuk do të shkaktonte një katastrofë globale apo rajonale, por vetëm një ndikim lokal. Kjo do të thotë se ai mund të shkaktojë shkatërrim në një rreze prej rreth 50 kilometrash./Indeksonline/