75 Mall Live Search
10:46 / E Premte, 17 Maj 2019 / indeksADMonline

Aston Villa-Derby, finalja që vlen më shumë se ajo në Champions League!

Kur bëhet fjalë për finalet më të mëdha në botën e futbollit, qartësisht të gjithë veçojnë ose një finale në Champions League, ose në Kupën e Botës.

Megjithatë, përtej lavdisë dhe emrave të mëdhenj që zbresin në fushë në finalet e kompeticioneve më të mëdha në botë, finalja më e madhe në botën e futbollit luhet në Wembley çdo maj dhe është finalja play-off në Championship!

Këtë vit do të vihen përballë Derby County i drejtuar nga Frank Lampard dhe Aston Villa me John Terryn si zëvendëstrajner.

Një vit më parë triumfoi Fulhami (sërish Aston Villa në finale) dhe ai sukses i vlejti klubit 170 milionë sterlina, thuajse 200 milionë euro. 46 ndeshje në sezonin e rregullt, dy ndeshje gjysmëfinale dhe tashmë 90 ose 120 minuta për të arritur ëndrrën Premier League dhe për të bërë për vete një thesar.

Pse është kjo finale kaq fitimprurëse?

Premier League është kampionati më i pasur në botë dhe ngjitja aty sjell të ardhura pa asnjë rival në çdo sport. Premier League u garanton të paktën 95 milionë sterlina secilit prej aksionerëve të vet, me Manchester Cityn kampion që do të fitojë rreth 150 milionë sterlina.

Nëse një klub zbret nga Premier League pas vetëm një sezoni aty, i jepet një “pagesë parashutë”, që synon të zbutë humbjet financiare dhe shkon diku te 42 milionë sterlina në sezonin e parë jashtë Premier League. Nëse më pas regjistrohet edhe një sezon i dytë rresht në Championship, Premier League jep edhe 34 milionë sterlina si ndihmë.

Me strukturën aktuale, nëse një klub mbijeton për dy vite rresht në Premier League dhe pastaj bie nga kategoria, merr parashuta edhe për një vit të tretë, por kjo pagesë digjet nëse klubi ngjitet direkt në Premier League, që në vitin e parë pasi bie. Me pak llogari, rezulton që një klub që qëndron dy vite rresht në Premier League dhe pastaj qëndron dy vite në Championship, arkëton 288 milionë sterlina.

Kjo skemë shpërndarjesh të të ardhurave ka qenë një sukses i paparë për klubet e vogla në sezonet e fundit, sepse nga 18 klube të ngjitur në Premier League prej sezonit 2011-2012, 13 ishin në Premier League në sezonin 2018/19.

Ngjitja në Premier League nuk nënkupton vetëm miliona sterlina nga Liga, por edhe miliona nga të drejtat televizive, që kanë një peshë të frikshme, mjafton të mendohet se klubet në Championship marrin nga 7 milionë sterlina secili për një sezon, deri dy herë më shumë për klubet e mëdhenj e me stadiumet plot. Gjithashtu, në Premier League çmimet për abonimet dhe biletat rriten.

Natyrisht, edhe shpenzimet janë të mëdha, sidomos për klubet me traditë si Aston Villa, që e ka vuajtur shumë disfatën në finale sezonin e shkuar dhe tashmë kërkon me çdo kusht Premier Ligën për të rregulluar bilancet, që qajnë prej vitesh dhe do të kthehen në shqetësim serioz në rast dështimi dhe emra si talenti Grealish do të shiten me urgjencë.