22:40 / E Diele, 03 Nëntor 2019 / indeksADMonline

“Ata që kanë interes nga fletëvotimet e ardhura me vonesë në KQZ, provuan që procesit t’i japin konotacion patriotik”

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Florian Dushi ka deklaruar se vendimi i fundit i Supremes rreth fletëvotimeve të ardhura me vonesë  në KQZ është në vazhdën e vendimeve të diskutueshme të këtij organi gjyqësor.

Ai tha se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është tejet i qartë në këtë drejtim, duke saktësuar procedurën sikur edhe afatet brenda të cilave duhet të realizohen, e drejtë kushtetuese nga ana e qytetarëve.

Dushi theksoi se ata që presin ose kanë interesa subjektive nga këto fletëvotime, kanë provuar që këtij procesi t’i japin edhe konotacion patriotik, transmeton Indeksonline.

Postimi i plotë:

“Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme rreth fletëvotimeve të ardhura me vonesë në KQZ është në vazhdën e vendimeve të diskutueshme të këtij organi gjyqësor.

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është tejet i qartë në këtë drejtim, duke saktësuar procedurën sikur edhe afatet brenda të cilave duhet të realizohet kjo e drejtë kushtetuese nga ana e qytetarëve tanë.

Ata që e kuptojnë mirë dhe drejt natyrën periodike të zgjedhjeve, afatet kushtetuese për konstituimin e organeve që dalin nga këto zgjedhje, e dinë se afatet në zgjedhje janë tejet të rëndësishme dhe kjo e drejtë kushtetuese, sipas Kushtetutës, por edhe sipas konventave ndërkombëtare të cilave iu referohen vetë ata, nuk është e pakufizuar në kohë dhe e papërcaktuar si procedurë, ndryshe ne nuk do të kishim zgjedhje periodike, por të vazhdueshme, në pritje të përhershme të arritjes eventuale të ndonjë vote nga jashtë!

Flas në aspektin profesional dhe ligjor, përndryshe ata që presin ose kanë interesa subjektive nga këto fletëvotime, kanë provuar që këtij procesi t’i japin edhe konotacion patriotik”