21:38 / E Diele, 21 Qershor 2020 / C E

Atalanta e papërmbajtshme, Berat Gjimshiti hap serinë e golave ndaj Sassuolos

Atalanta e rinis aty ku e la Serinë A para bllokimit për shkak të Koronavirusit, fiton 4-1 ndaj Sassulos në kuadër të javës së 26-të.

Skuadra bergamaske i shënoi tre gola vetëm gjatë pjesës së parë këtij kundërshtari, madje të parin e realizoi mbrojtësi kuqezi, Berat Gjimshiti. 27-vjeçari u gjend në vendin dhe kohën duhur në zhvillimet e një këndoreje (16′), i shërbyer me kokë nga Caldara.

Për shtatlartin e Shqipërisë ky ishte goli i dytë sezonal në Serinë A, pas atij finalizimi në kohën shtesë, që i dha fitoren Atalantës në muajin dhjetor përballë Veronës.

Zapata sigloi të dytin për ekipin e Gasperinit në minutën e 31-të ndërsa Bourabia devijoi në portën e tij gjashtë minuta më vonë.

Dominimi i bergamaskëve vijoi edhe në pjesën e dytë, me Zapatan që realizoi golin e katërt në minutën e 66-të, ndërsa në minutat shtesë pati kohë për golin e nderit të Sassuolos, që u shënua ng Bourabia.

Atalanta me tri pikët e radhës forcon pozitat në vendin e katërt me 51 pikë, gjashtë më shumë se Roma, që është rivalja më e afërt.