16:07 / E Mërkurë, 22 Shtator 2021 / FG

Atentat ndaj ndihmësit të presidentit të Ukrainës

Ndihmësi i lartë i presidentit të Ukrainës i ka shpëtuar një atentati për vrasje. Automjeti me të cilin po udhëtonte Serhiy Shefir është qëlluar me automatik nga persona të paidentifikuar. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se atentati ishte një mesazh për të, por pavarësisht këtij zhvillimi, premtoi vazhdimin e reformave dhe luftimin e oligarkëve dhe korrupsionit në vend.

Shefir i shpëtoi sulmit pa asnjë gërvishtje, ndërsa shoferi është plagosur pasi më tepër se 10 plumba prekën automjetin në afërsi të fshatit Lenyky, në afërsi të kryeqytetit Kiev.

Policia ka hapur një hetim dhe çështja po konsiderohet si vrasje me paramendim. Partia e presidentit, thotë se nuk duhet përjashtuar ndonjë përfshirje e mundshme e Rusisë në atentat.

Zyrtarë të kësaj force politikë bënë thirrje për ndjekjen e gjurmëve ruse pasi sipas tyre, ky shtet di si të organizojë sulme terroriste në vende të tjera.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar dhe Kremlini. Zëdhënësi, Dmitry Peskov, tha se Rusia nuk ka asnjë lidhje dhe nuk është përfshirë në sulmin ndaj ndihmësit të presidentit ukrainas.

Ukraine president's aide survives apparent assassination attempt - CNN