Atentat ndaj një 30-vjeçari në Shkodër, plagoset bashkë me kunatin

Dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të marte në Shkodër, në atë që duket të ketë qenë një atentat i dështuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re. Të plagosurit janë Gj. Ndërshtiqaj, 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë, si dhe kunati i tij 30-vjeçar, Gjon Nika.
Paraprakisht, dyshohet se objektiv i këtij atentati ka qenë pikërisht ky i fundit. Në njoftimin e saj për mediat, Policia e Shkodrës thotë se autorët qëlluan në drejtim të Nikës dhe si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur edhe kunati i tij 28-vjeçar.
Dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Shkodrës dhe burime bëjnë të ditur se ata janë jashtë rrezikut për jetën.
“Rreth orës 19:30, në afërsi të një lokali në fshatin Grudë e Re, është qëlluar me armë zjarri shtetasi Gjon Nika, rreth 30 vjeç. Si pasojë e të shtënave është plagosur edhe kunati i tij, shtetasi Gj. Ndërshtiqaj., 28 vjeç, student në Akademinë e Sigurisë. Të dy këta shtetas janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë, drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër. Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur disa grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe të RENEA-s, si dhe specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit”, tha policia e Shkodrës në një njoftim paraprak për mediat./TVKLAN/