14:21 / E Premte, 07 Maj 2021 / OSH

ATK: 15.8 milionë euro të hyra më shumë së planifikimi për katër muajt e parë të vitit 2021

Përveç ofrimit të shërbimeve ndaj tatimpaguesve, inkasimi i të hyrave është njëri ndër prioritetet kryesore të Administratës Tatimore të Kosovës. ATK, për katër muajt e parë të këtij viti është duke shënuar trend shumë pozitivë në inkasimin e të hyrave, ku ky trend i inkasimit ka tejkaluar edhe pritshmërit që ATK ka pasur për periudhën Janar-Prill 2021.

Kështu është bërë e ditur në komunikatën e lëshuar për medie nga ATK-ja.

“Gjatë kësaj periudhe, ATK ka inkasuar 201.3 milion euro tatime, ku në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kemi rritje  për 37.2%  apo 54.6 milionë euro më shumë, ndërsa në krahasim me planin kemi inkasuar 15.8 milionë euro më shumë ose 8.6%”, thekson tutje komunikata.

ATK, iu ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesit që të deklarojnë dhe paguajnë obligimet e tyre tatimore, sepse vetëm në këtë mënyrë vendi ynë do të jetë në gjendje të përballet me sfidat e zhvillimit ekonomik dhe pandemisë COVID-19.