ATK dhe AKI lidhin bashkëpunim për mbrojtjen e sigurisë ekonomike të vendit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) kanë arritur një marrëveshje bashkëpunimi institucional, me qëllim fuqizimin e përpjekjeve të përbashkëta për luftimin e dukurive negative që dëmtojnë sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kjo u tha në një takim të zhvilluar gjatë ditës së sotme mes Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, Mentor Hyseni, dhe Drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, në ambientet e ATK-së.
“Bashkëpunimi mes ATK-së dhe AKI-së pritet të tejkalojë objektivin e ngushtë të parandalimit të evazionit fiskal, duke u shtrirë në adresimin e fenomeneve të tjera që rrezikojnë integritetin ekonomik dhe shoqëror të vendit”.
“Të dy drejtuesit nënvizuan rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të informacionit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e interesit publik. U theksua po ashtu se ky bashkëpunim do të kontribuojë në rritjen e transparencës, besimit qytetar dhe në ndërtimin e një sistemi më të drejtë e më të sigurt për të gjithë”, thuhet në komunikatën e ATK-së./Indeksonline/