12:02 / E Mërkurë, 15 Janar 2020 / indeksADMonline

ATK-ja, arkëtoi mbi gjysmë miliardi euro vitin e shkuar

Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) në vitin 2019 ka arritur të arkëtonte mbi gjysmë miliardi euro ose 10.4 për qind më shumë se në vitin 2018. Ndërsa, kontributet pensionale në periudhën e vitit 2019 janë 188 milionë euro.

Drejtues të ATK-së gjatë shpalosjes së raportit nië vjeçar, theksuan se të hyrat vjetore nga tatimet në vitin që lamë pas ishin 504.5 milionë euro ose 47.4 milionë euro më shumë se vitin paraprak.

Drejtori i ATK-së Ilir Murtezaj në një konferencë shtypi tha se kjo e hyrë për kundër sfidave të ndryshme, ATK-ja ka arritur që për herë të para që nga paslufta janë arkëtuar mbi gjysmë miliardi euro për arkën e shtetit.

Murtezaj tha se trajtimi i borxheve ka ndikuar që të arkëtohen 108. 1 milionë euro, ndërsa borxhet ndaj ATK-së janë edhe 354.3 milionë euro.

Në kuadër të borxhlinjve më të mëdhenj ndaj shtetit është edhe “Telekomi” i Kosovës, për këtë drejtori i ATK-së tha se “Telekomi” është duke zbatuar marrëveshjen e arritur me ATK-në pas mbylljes së llogarive bankare për shlyerjen e borxheve. Në vitin që lamë pas janë ndërmarrë 176 aktivitete për shmangie tatimore, 37 raste të hapura nën dyshimin e shmangies tatimore, ndërsa 5.3 milionë euro është vlera e shmangies tatimore. Plani afatmesëm i reformës 2019-2021 është luftimi i evazionit fiskal në sektorin e ndërtimtarisë, identifikimi i bizneseve ndërtimore që nuk përmbushin obligimet tatimore dhe kontrolli i përgjithshëm në sektorin e ndërtimtarisë.

Sipas drejtorit të ATK-së janë mbi 6 mijë biznese aktive të ndërtimtarisë në vend. Ndërsa, zëvendësministri i Financave në detyrë, Fatmir Gashi, tha se është i kënaqur me arritjet e ATK-së për vitin 2019, i cili shtoi se në vazhdimësi ka edhe rënie të informalitetit falë punës së ATK-së.