75 Mall Live Search
09:40 / E Premte, 05 Shtator 2025 / P M

ATK-ja shënon rritje, mbledh 713.3 milionë euro të hyra

Administrata Tatimore e Kosovës ka arritur që në periudhën janar–gusht të 2025 të mblidhte gjithsej 713.3 milionë euro të hyra, duke tejkaluar të hyrat e së njëjtës periudhë të vitit 2024 për 71.2 milionë euro.

Ky rezultat dëshmon për një trend të qëndrueshëm të rritjes së të hyrave tatimore, që pasqyron jo vetëm përkushtimin e ATK-së në zbatimin e ligjit dhe forcimin e administrimit tatimor, por edhe vetëdijen gjithnjë e më të lartë të tatimpaguesve për përmbushjen e obligimeve të tyre.

Rritja e të hyrave ka rëndësi të veçantë për stabilitetin fiskal të vendit, sepse garanton më shumë mjete për investime publike, zhvillim ekonomik dhe përmbushjen e nevojave të qytetarëve. Kjo është dëshmi se partneriteti i ndërtuar ndërmjet ATK-së dhe tatimpaguesve po jep rezultate të prekshme dhe afatgjata.

Në këtë kuadër, ATK-ja rikujton se qëllimi i saj nuk është ndëshkimi i tatimpaguesve, por edukimi dhe ndërgjegjësimi i tyre, me qëllim që obligimet tatimore të trajtohen si përgjegjësi e natyrshme qytetare dhe biznesore. Prandaj, institucioni do të vazhdojë të investojë në trajnime, fushata informuese dhe shërbime digjitale që ua lehtësojnë tatimpaguesve procesin e përmbushjes së obligimeve.