75 Mall Live Search
12:04 / E Hënë, 22 Dhjetor 2025 / P M

ATK shpalos arritjet e sfidat për 2025-ën, Hyseni: Sivjet kemi një rritje prej 11% krahasuar me vitin e kaluar

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shpalosur arritjet dhe sfidat gjatë 2025-ës, e ku u tha se të hyra vjetore gjatë këtij viti janë prej 1,336 miliardë eurove për 2025, ndërsa bizneset llogaritet të kenë qarkullim rreth 25 miliardë euro.

Drejtori i Përgjithshëm, Mentor Hyseni në shpalosjen e të dhënave vjetore tha se ky është moment historik për institucionin.

“Kisha dashur t’i vë theks kësaj shifre, sidomos duke pasur parasysh që ATK po përballet me mungesë të punëtorëve, që sillet rreth 30% dhe një moshë mesatare që kalon 51. Prap ATK ka arritur të krijojë të hyra që tejkalojnë 1 miliardëshin. Sivjet kemi një rritje prej 11% krahasuar me vitin e kaluar, e cila është rritje që e përcjellë tregun e viteve të fundit”, ka thënë ai.

Gjatë vitit 2025, ATK ka realizuar 24,051 kontrolle përmbushëse, përfshirë mbi 16 mijë aktivitete dhe gati 8 mijë vizita në terren. Si rezultat, janë shqiptuar 11,178 gjoba, me vlerë rreth 3 milionë euro, si dhe janë identifikuar 23,912 raste të mungesave në stoqe dhe 267 gjoba për mall pa origjinë.

Ministri në detyrë i Financave, Punës e Transfereve, Hekuran Murati tha se Administrata Tatimore e Kosovës është një nga shtyllat kryesore në funksionimin e shtetit dhe mbushjen e buxhetit publik, ku theksoi ndër të tjera se pati edhe rritje të numrit të të punësuarve.

 “Gjatë 5 viteve të fundit ATK ka shënuar arritje të jashtëzakonshme si në rritjen e të hyrave të mbledhura ashtu edhe në përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve ndaj tatimpaguesve dhe një nga treguesit e kësaj performance është edhe tejkalimi i shifrës 1 miliard euro të hyrat nga tatimet apo të mbledhurat nga ATK, një fakt që e dëshmon se është një rritje e vazhdueshme e besimit të qytetarëve në institucionet tona. Konkretisht, ju them edhe raportin ditor që e pranoj si ministër, shifra prej 1 miliard euro për herë të parë në historinë e ATK-së është mbledhur apo është përmbushur me 16 dhjetor të këtij viti. Ende pa u mbyllur viti është shënuar rekord historik. Kjo shifër nuk është e rastësishme sepse ngjashëm ka performuar edhe aspekti ekonomik. Kemi biznese që këtë vit pritet ta mbyllin me rreth 25 miliard euro qarkullim, ndërkaq hiç më larg  se para pesë viteve ishte 11.5 miliardë euro. Gjithashtu nuk është rritur vetëm qarkullimi por kemi edhe rritje të fitimit të bizneseve. Nëse marrim për bazë tatimin në fitimin e korporatave, pra si indikator e shohim që fitimi bizneseve tashmë ka tejkaluar shifrën prej 2 miliardë euro, pra pritet të jetë 2.3 miliardë euro, ndërsa para pesë vitesh ka qenë rreth 900 milionë euro. Ngjashëm kemi të bëjmë edhe me trendin e numrit të të punësuarve. Numri, apo shifra e të punësuarve në muajt e fundit tregon që ka arritur, apo ka prekur numrin prej 435 mijë vende pune aktive që kanë të raportuara në ATK, kurse para pesë vitesh ishte 350 mijë”, tha Murati.