75 Mall Live Search
22:52 / E Hënë, 16 Shkurt 2026 / F.R

ATK verifikon aktivitetet dimërore

Ekipet operative të inspektorëve nga Administrata Tatimore e Kosovës gjatë fundjavës kanë zhvilluar aktivitete rutinore inspektuese në qendrat e skijimit në Kosovë, si dhe në sektorë të tjerë me aktivitet të shtuar gjatë sezonit dimëror.

Sipas njoftimit, këto aktivitete po realizohen me qëllim të verifikimit të zbatimit të rregullave tatimore, përfshirë transmetimin e saktë të të dhënave përmes arkave fiskale, mbajtjen e rregullt të dokumentacionit, deklarimin e punëtorëve dhe përmbushjen e obligimeve të tjera tatimore, raporton KosovaPress.

Administrata Tatimore e Kosovës thekson se respektimi i këtyre kërkesave është obligim ligjor për të gjithë tatimpaguesit dhe duhet të realizohet në përputhje të plotë me dispozitat e legjislacionit tatimor në fuqi.

“Këto vizita do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të sigurimit të barazisë në treg dhe rritjes së nivelit të përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore”, thuhet në fund të njoftimit.