75 Mall Live Search
20:50 / E Premte, 24 Janar 2020 / indeksADMonline

Atleti Muhamet Ramadani shpallet sportisti i vitit 2019 në Mitrovicë

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, ka mbajtur ceremoninë e shpalljes së klubeve sportive dhe sportistit më të mirë për vitin 2019.

Në ceremoni ishin të pranishëm nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, zv.ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Sami Zeka, drejtorë të drejtorive komunale, legjendat e sportit mitrovicas dhe kosovar, sportistë tjerë të dalluar nga komuna e më gjerë, si dhe përfaqësuesit e klubeve sportiste dhe sportistët që u shpallën më të mirët për vitin 2019.

Nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, pasi i përshëndeti të pranishmit, tha se sportistët mitrovicas po tregojnë rezultate të mira si brenda Kosovës ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

“Kjo na bënë neve të ndihemi krenar me këtë përfaqësim, andaj edhe na obligon të jemi të përkushtuar që të mbështesim dhe të sigurojmë më tepër mjete dhe kushte për punë, në mënyrë që të vazhdojnë rrugën e sukseseve,” tha ndër të tjerash nënkryetari Mujka.

Juria profesionale, sportist të vitit 2019 shpalli Muhamet Ramadani, atletik në klubin K.A “Mitrovica”, ndërsa çmimin “Lah Nimani”, ia ndau punëtorit sportiv të mirënjohur Adem Çollakaj. Klubi sportiv i vitit 2019 u shpall Klubi i futbollit të femrave “Mitrovica”.

Sportistë më të mirë të vitit, në sporte dhe kategori të ndryshme u shpallën Liridona Syla, futbolliste, Fisnik Hyseni, xhudist, Çlirim Hyseni, atletik, Muharrem Jashari, futbollist, Behar Terziqi, hendbollist, Besnik Azemi, basketbollist, Imer Manxholli, boksier, Samir Hasani, çiklist, Edis Ahmeti, futbollist, Altin Shala, boksier.

Gazetar sportiv i vitit u shpall Arbnor Rahova, punëtor sportiv i vitit, Hajrulla Haxhiu, KFF “Mitrovica” trajner i vitit Seid Onbashi KFF “Mitrovica”, ndërsa refer i vitit Arsim Vitaku hendboll, Erduan Vitaku, hendboll, Fatmir Tahiri, futboll.