75 Mall Live Search
23:23 / E Shtunë, 12 Shkurt 2022 / C E

Atletico Madrid me një lojtar më pak fiton “thrillerin” shtatë golësh ndaj Getafes

Atletico Madrid ka arritur një fitore të madhe në shtëpi ndaj Getafes. Ekipi i Diego Simeones triumfoi 4:3 ndaj Getafes, ndonëse ishte më shumë se gjysmë ore me një lojtar më pak në fushë.

Gjashtë gola u shënuan vetëm në pjesën e parë, nga tre në secilën portë.

Luis Suarez e humbi penalltinë qysh në minutën e nëntë, kurse 10 minuta më vonë, Correa kaloi vendasit në epërsi.

Cunha e dyfishoi epërsinë në minutën e 27-të, kurse kundërpërgjigjja e Getafes ishte e jashtëzakonshme.

Ata shënuan tre gola brenda 12 minutave. Fillimisht Mayoral ngushtoi epërsinë në minutën e 30-të, para se Unal të shënonte dy herë nga penalltia në minutat 37’ dhe 42’ për të kaluar në epërsi.

Rezultati më pas do të barazohej nga Correa në sekondat e fundit të pjesës së parë.

45 minutat e dytë nisën si mos më keq për Atletico Madridin. Felipe u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 58-të.

Por, kjo nuk ndikoi dhe Atletico e arriti golin e fitores së mundimshme. Hermoso realizoi në minutën e 89-të të ndeshjes.

Me këtë fitore, Atletico Madrid merr përkohësisht pozitën e katërt me 39 pikë.