15:03 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

Atletja belge zgjedh eutanazinë, vdekjen e qëllimshme, shkaku i një sëmundje

Ka ndërruar jetë në moshën 40- vjeçare atletja belge e Lojërave Paraolimpike Marike Vervort, e cila zgjodhi eutanazinë. Disa herë kampione bote në atletikën e lehtë në Lojërat Paraolimpike ajo vuante nga një sëmundje muskulare degjenerative, në këmbë.

Atletja paraolimpike belge, Marieke Vervort, kampione në 100 metra në Lojërat Paraolimpike të Londrës më 2012, ka ndërruar jetë pasi zgjidhi eutanazinë në moshën 40- vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga mediat belge.

Me një sëmundje të rrallë muskulare degjenerative në këmbë, atletja belge që në gusht të 2016-s pak para pjesëmarrjes në Lojërat Paraolmpike të Rio de Zhanejros, deklaronte se do të kërkonte eutanazinë në rast se sëmundja e saj do të përkeqësohej.

Ajo ankohej për dhimbje të vazhdueshme, kriza epileptike dhe paralizë të këmbëve, elemente që nuk e lejonin as të flinte. Eutanazia lejohet në Belgjikë dhe ajo që në vitin 2008 kishte firmosur për t’i lejuar një mjeku që në të ardhmen t’i jepte fund jetës së saj. Sipas deklaratës së familjes ajo ndërroi jetë mbrëmjen e së martës.

Vervort i ishte përkushtuar sportit me shumë sukses, duke filluar me basketbollin në karrige me rrota, me notin dhe më pas me triathlon. Ajo u shpall kampione bote në para triatlon më 2006, dhe në tetor të vitit 2007 realizon ëndrrën e saj, duke marrë pjesë në garën e Njeriut të Hekurt në Hauaji.

Për shkak të përkeqësimit të kushteve shëndetësore ajo iu dedikua vetëm atletikës së lehtë, duke fituar medalje ari në 100 metra me një karrige me rrota dhe medalje argjendi në 200 metra. Tri herë kampione bote në 100, 200 e 400 metra, ajo fiton medalje argjendi dhe në Doha, Katar dhe Rio de Zhanejro.

Në shtator ajo plotësoi dhe ëndrrën e saj të fundit duke i dhënë një Lamborxhini në qarkun e Zolder. Në fund ajo ishte shprehur se ishte e lumtur që kishte realizuar shumë ëndrra dhe se ajo kishte qenë e fundit./abcnews.al