75 Mall Live Search
13:33 / E Premte, 17 Tetor 2025 / Z S

Atmosfera në Tiranë: Mbërrijnë qytetarët e parë nga Kosova dhe një grup mërgimtarësh

Reshjet e shiut nuk kanë ndaluar qytetarët të cilët kanë nisur pak nga pak duke u grumbulluar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë lidhur me protestën në mbështetje të lidëreve të UÇK-së, e cila do të nisë orën 17:00.

Atmosfera në shesh është duke u “gjallëruar” minutë pas minute, teksa shqiptarët e Kosovës mbërrijnë në Tiranë.

78-vjeçari, Daut Maloku pavarësisht moshës, ka udhëtuar nga Prishtina herët në mëngjes.

Ai për “Euronews Albania” shprehet se në Hagë po devijohet e vërteta dhe se lufta çlirimtare ka qenë e pastër duke e krahasuar me lotin prandaj duhen përkrahur liderët e UÇK-së.

“Do të jetë një miting mbarëkombëtar për mbrojtjen e vlerave sublime themelore të UÇK-së. Kjo është e rëndësishme të tregojmë se këto vlera i kemi amanet nga dëshmorët, që gjithmonë ti respektojmë. Ajo që po ndodh në Hagë është e po dyshojmë se ka devijim nga e vërteta. Lufta çlirimtare ishte e pastër si loti”, tha ai.

Një shqiptar i Kosovës së bashku me miqtë e tij, i cili  ka udhëtuar nga Zvicra që të jetë pjesë e protestës, tha se është një ditë e rëndësishme për të dhënë përkrahjen e tyre ndaj liderëve të UÇK-së.

“Ne kemi ardhur me 10 shokë nga Bazeli i Zvicrës. Është një ditë e veçantë. Kemi ardhur të japim përkrahje çlirimtarëve. Ata janë liria e Kosovës, falë gjakut të dëshmorëve dhe Hashim Thaçit edhe bashkëluftëtarëve të tjerë sot jemi këtu e na jepet mundësia të përkrahim ata.

Ne kemi qenë pjesë e luftës dhe e kemi përjetuar. Jemi krenarë që kemi qenë kemi pjesë e asaj historie. Hashim Thaçi është ikona e Shqiptarisë. Qindra e mijëra njerëz do vijnë për t’i përkrahur”, tha ai./Indeksonline/