Audia prezanton Q3-shin e ri

Audi është në ofensivë të plotë për rinovimin e modeleve të saj. Pas prezantimit të gjeneratave të reja të A5 dhe Q5, si dhe modeleve elektrike A6 dhe Q6 E-Tron, është radha e SUV-it më të vogël.
Gjenerata e tretë e Audi Q3 sjell ndryshime të rëndësishme, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Edhe pse është një tjetër crossover kompakt premium, Q3 i ri fsheh disa surpriza.
Karakteristika më e habitshme në pjesën e jashtme janë dritat e reja të ndara përpara dhe prapa, të cilat janë një trend dizajni që anashkaloi Q5 më të madh.
Dritat e sipërme të ditës janë menjëherë të dukshme, ndërsa dritat kryesore Matrix LED janë të fshehura pas xhamit të errët në një maskë të zezë me shkëlqim brenda parakolpit.

Çdo dritë përmban deri në 25,600 dioda mikro-LED, secila sa gjysma e trashësisë së fije një floku njerëzor – gjë që nënkupton kosto të larta zëvendësimi në rast aksidenti.
Në pjesën e pasme, dritat e pasme ndahen në dy njësi – shiriti i poshtëm i dritës LED dhe elementi i sipërm OLED. Pronarët mund të zgjedhin nga gjashtë ekrane të ndryshme, pasi dritat përbëhen nga 36 segmente që mund të formohen në konfigurime të ndryshme.
Nënshkrimi i dritës kujton A6-ën e re dhe mund të shoqërohet edhe me një logo të ndriçuar të Audi-t.
Audi ka premtuar të heqë tubat e rremë të shkarkimit, kështu që Q3 i ri nuk ka ato shtesa estetike.

Ndërsa Q5 ka tuba të dyfishta shkarkimi të vërteta edhe në versionet bazë, Q3 më i vogël ka një parakolp të pasmë “të pastër”, me tubin e shkarkimit të fshehur poshtë.
Pamja më sportive ka të ngjarë të mbetet e rezervuar për versionet S dhe RS.
Profili anësor i ngjan shumë Q5, megjithëse Audi pretendon se skajet e harkuara të parakolpave janë të frymëzuara nga Quattro origjinal.
Versionet më të larta kanë fellne 20 inç, ndërsa modelet bazë vijnë me 17 inç. Gjerësia e gomave është rritur nga 215 në 235 mm, ndërsa koeficienti i rezistencës është ulur nga 0.32 në 0.30.
Pjesa e brendshme është në përputhje me filozofinë e re të Audi-t – nuk ka ekran për pasagjerin (gjë që e kemi parë në modelet më të fundit të këtij prodhuesi), gjë që doli të ishte një zgjidhje më e mirë.
Shoferi merr një panel instrumentesh digjitale 11.9 inç, si dhe një ekran qendror me prekje 12.8 inç që përdor sistemin Android Automotive.
Ka gjithashtu kontrolle haptike në timon, si dhe korniza pak më të trasha rreth ekranit, të cilat mund të mos i pëlqejnë të gjithëve.
Një nga risitë më të mëdha është xhami akustik në dritaret anësore të përparme, i cili sjell një udhëtim më të qetë – dhe është ekskluziv për këtë segment në ofertën e Audi-t.
Audi pranon se cilësia e brendshme ka rënë më parë, por premton përmirësime.
Kulmi i risive nuk është më në konsolën qendrore – leva e marsheve tani ndodhet pas timonit, në të djathtë.
Kjo liron hapësirë për dy mbajtëse të mëdha gotash, një hapësitrë për karikimin pa tel të telefonit dhe dy porta USB.
Në anën e majtë të timonit është një levë shumëfunksionale për fshirëset, dritat dhe treguesit.
Prakticiteti është përmirësuar gjithashtu – bagazhi ka një vëllim prej 488 litrash me pozicionin standard të ndenjëses së pasme, 575 litra kur ndenjësja zhvendoset përpara dhe 1,386 litra kur mbështetëset e shpinës palosen.
Q3 i ri mund të tërheqë një rimorkio me peshë deri në 2,100 kilogramë.
Sa i përket motorit, modeli bazë përdor një motor benzine 1.5 TSI me hibrid të butë dhe çaktivizim të cilindrave – 150 kuaj-fuqi (110 kW) i çiftëzuar me një ndërrues DSG me 7 shpejtësi dhe tërheqje në rrotat e përparme.
Më pas është 2.0 TFSI me 265 kuaj-fuqi (195 kW) dhe 400 Nm, me tërheqje në të gjitha rrotat Quattro.
Audi nuk i ka harruar as tifozët e naftës, siç dëshmohet nga 2.0 TDI me 150 kuaj-fuqi (110 kW) dhe 360 Nm, por pa tërheqje në të gjitha rrotat.
Ky motor përdor gjithashtu të njëjtin ndërrues DSG. Siç u tha, versioni me naftë AWD nuk është i disponueshëm në lançimin e modelit.
Versioni më interesant është ai hibrid plug-in, por vetëm me tërheqje në rrotat e përparme. Ai kombinon një motor benzine 1.5 dhe një motor elektrik, me një fuqi totale prej 272 kuaj-fuqi (200 kW) dhe 400 Nm.
Ka një bateri 19.7 kWh, e cila siguron një autonomi deri në 120 kilometra sipas WLTP dhe karikimit DC deri në 50 kW, me 10 deri në 80% të kapacitetit që karikohet në më pak se 30 minuta.
Audi Q3 i ri do të mbërrijë në tregun evropian në shtator 2025, me një çmim prej 44,600 eurosh për modelin bazë dhe 49,300 euro për atë hibrid.
Me nxjerrjen graduale të Audi Q2 nga tregu, Q3 bëhet SUV-i i nivelit fillestar në linjën e Audi-t.
Pritet gjithashtu edhe SQ3, dhe ndoshta edhe RS Q3, megjithëse nuk ka gjasa ta mbajë motorin legjendar me pesë cilindra. Q3 Sportback, një konkurrent i BMW X2, gjithashtu do të dalë së shpejti.
Ende nuk ka plane për një Q3 plotësisht elektrik, por Audi po njofton një model elektrik më të përballueshëm në segmentin A3 që vitin e ardhshëm – në formën e një hatchback ose crossover.
Do të ndërtohet në Ingolstadt dhe do të pozicionohet poshtë Q4 E-Tron.