Auditimi zbulon parregullsi në MPB: Mbi 12.5 milionë euro pagesa të klasifikuara gabimisht dhe paga për punonjës që nuk shkonin në punë
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore 2025 të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke evidentuar një sërë parregullsish në menaxhimin e financave, raportimin financiar dhe administrimin e personelit.
Sipas raportit, një nga gjetjet kryesore lidhet me klasifikimin jo të duhur të shpenzimeve. Gjatë vitit 2025, përmes vendimeve gjyqësore dhe urdhrave përmbarimorë janë ekzekutuar pagesa në vlerë prej 12.56 milionë euro, të cilat janë regjistruar në kategori ekonomike të gabuara. Prej tyre, mbi 10 milionë euro janë paguar nga kategoria e investimeve kapitale, rreth 2.31 milionë euro nga mallrat dhe shërbimet, ndërsa mbi 185 mijë euro nga subvencionet dhe transferet, ndonëse pjesa më e madhe e tyre lidhej me paga dhe detyrime të ngjashme.
Auditimi ka konstatuar gjithashtu se MPB-ja ka mbivlerësuar detyrimet kontingjente për rreth 2.73 milionë euro, si rezultat i regjistrimeve të pasakta dhe mosreflektimit të vendimeve gjyqësore në sistemet financiare.
Një tjetër gjetje ka të bëjë me pagesën e shtesave për kushte specifike të punës. Raporti thekson se 19 zyrtarë të suspenduar kanë vazhduar të marrin këtë shtesë edhe pasi nuk ushtronin më detyrat që justifikonin përfitimin e saj, duke përfituar gjithsej 2,620 euro pas muajit korrik 2025.
Po ashtu, auditorët kanë evidentuar pagesa për punonjës që nuk kishin vijueshmëri në punë. Sipas raportit, 19 punonjës, të cilët nuk kishin ushtruar detyrat e tyre gjatë vitit 2025 për shkak të një procesi administrativ ende të pazgjidhur, kanë përfituar paga në vlerë prej 119,999 euro.
Raporti vëren gjithashtu mangësi në menaxhimin e kontratave të prokurimit, në kontrollin e brendshëm dhe në zbatimin e legjislacionit financiar, duke rekomanduar forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe përmirësimin e planifikimit buxhetor.
Në total, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 12 rekomandime për Ministrinë e Punëve të Brendshme, prej të cilave pesë janë rekomandime të reja, katër të përsëritura dhe tre pjesërisht të përsëritura. Menaxhmenti i MPB-së është pajtuar me rekomandimet e auditorëve dhe ka premtuar ndërmarrjen e veprimeve për adresimin e tyre.

