75 Mall Live Search
13:14 / E Mërkurë, 10 Dhjetor 2025 / P M

Auditori zbulon mangësi të mëdha në projektin e ndërtimit të klinikave të reja në QKUK

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e projektit për “Ndërtimin e objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), për periudhën 2018 qershor 2025, ku janë evidentuar një numër i madh mangësish, parregullsish dhe keqmenaxhimi në të gjitha fazat e procesit. Duke filluar nga planifikimi buxhetor, te procedurat e prokurimit e deri te menaxhimi i fondeve dhe implementimi i kontratës.

Auditimi vlerëson se procesi nuk ka qenë në përputhje me kërkesat ligjore dhe rregulloret përkatëse, duke ngritur shqetësime serioze për efikasitetin dhe transparencën e menaxhimit të projektit.

Gjetjet sipas raportit:

Projekti “Ndërtimi i objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës” është përfshirë në planifikimin buxhetor që nga viti 2018, me fonde të ndara fillimisht
për ndërtimin e Klinikës së Hemato-Onkologjisë. Prej vitit 2019, përveç Klinikës së Hemato-Onkologjisë, janë ndarë edhe fondet për ndërtimin e Klinikës së Nefrologjisë. “Në vitin 2019 është realizuar projektimi për ndërtimin e të dyja klinikave në një objekt të vetëm, të ndarë në
kate. Më vonë, në vitin 2022, është marrë leja e ndërtimit të objektit sipas projektimit të bërë. Procedura e prokurimit ka filluar në gjysmën e parë të vitit 2023, dhe specifikimet teknike janë përgatitur në përputhje me projektin detaj, i cili është i bazuar në projektimin e vitit 2019, ku parashikohet ndërtimi i dy klinikave në një objekt të vetëm”, thuhet në raport. Po ashtu kontrata për ndërtimin e këtij objekti të përbashkët është nënshkruar në shkurt të vitit 2024 në vlerë prej 4,299,293€.


Megjithatë, edhe pse projektimi, leja e ndërtimit dhe kontrata e ndërtimit specifikojnë se bëhet fjalë për një objekt të vetëm, buxhetimi për vitin 2024 dhe 2025 ka vazhduar për secilën klinikë ndaras, si dy projekte të
veçanta pa bërë rregullimin e ndarjeve buxhetore në një projekt të vetëm.

Po ashtu gjetje tjetër nga auditori është konstatuar qasje e dyfishtë në hartimin e specifikave teknike.

Në dokumentacionin e tenderit është përdor një qasje e dyfishtë në specifikimet teknike e cila krijon paqartësi në përcaktimin e kritereve. Konkretisht në Aneksin 1 që përmban specifikimet teknike të detyrueshme, është përdorur togfjalëshi “ose me karakteristika të ngjashme”.

Ndërkohë, në fund të tabelës figuron një shënim shtesë ku thuhet se “nëse hasni në ndonjë emër të prodhuesit – gjithashtu është e lejuar edhe ekuivalente”. Kjo qasje e dyfishtë krijon paqartësi në përcaktimin e fleksibilitetit të lejuar në ofertim.
“Në njërën anë, përdorimi i termit ‘’ose ekuivalent’’ në përputhje me rregulloren dhe nënkupton lejimin e produkteve të tjera përveç atyre të përmendura me emër. Megjithatë, përshkrimi teknik i artikujve përfshin
gjithashtu shprehjen “karakteristika të ngjashme”, e cila, pa përcaktime të sakta për kufijtë minimalë apo maksimalë të devijimeve teknike, lejon hapësirë për interpretim të gjerë”, thuhet në raport.

Mospërputhje mes dokumentacionit teknik të projektit dhe paramasës, është gjetja tjetër, gjatë auditimit të dokumentacionit teknik të projektit dhe krahasimit me paramasën e paraqitur, kemi hasur mospërputhje në lidhje me klasën e betonit të parashikuar për strukturat kryesore ndërtimore dhe sasisë së armaturës dhe betonit.


Konkretisht, në pjesën grafike dhe përshkrimin teknik të projektit, është projektuar klasa e betonit C30/37, tek pllaka e themelit, shtyllat, muret, dhe rampat. Ndërsa në paramasën është kërkuar klasa e betonit C25/30 tek
pllaka e themelit, shtyllat, muret dhe rampat.


“Për pozicionin “4.6. Sjellja e materialit dhe betonimi i themeleve pllakë – pllaka e bazamentit, C25/30”, matjet sipas projektit detal tregojnë një sasi prej 555 m³, ndërsa sipas paramasës është kërkuar një sasi prej 585 m³,
duke rezultuar në një diferencë në mes të sasisë së projektuar dhe të paramasës, e cila ka rezultuar me kontraktimin e 30 m³ më shumë.
Për pozicionin “5.1. Sjellja, përpunimi, formatizimi dhe vendosja e armaturës në vend”, vërehet se ka mospërputhje me sasinë sipas planit detal dhe asaj të paraqitur në paramasë. Sipas matjes së masave sipas
projektit detal tregojnë një sasi të nevojshme prej 247 t (247,000kg), kurse sipas paramasës sasia e kërkuar është 273 t (273,000kg). Pra, kemi një mospërputhje të sasisë së projektuar dhe të paramasës, e cila ka
rezultuar me kontraktimin e sasisë për 26 t (26,000kg) më shumë”, thuhet në raport.

Mangësi në procesin e vlerësimit të ofertës gjatë procesit të tenderimit, mangësi në procesin e menaxhimit të shpenzimeve shpenzimet e realizuar për projektin: “Ndërtimi i Objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” për periudhën 2019 – qershor 2025 nga të dy projektet janë 1,078,335€, duke përfshirë shpenzimet nga të dyja projektet.


Gjatë analizës së shpenzimeve të realizuara për këtë projekt, janë identifikuar disa pasaktësi në shpërndarjen e fondeve sipas qëllimit të secilit projekt. Këto pasaktësi kanë ndodhur për disa arsye, përfshirë:


Nga projekti “Ndërtimi i Objektit për Klinikën Hemato-Onkologji” (15710) janë realizuar pagesa për hartimit të projektit kryesor për Nefrologji dhe Hemato-Onkologji në vlerë prej 22,000€.

Ky shpenzim nuk paraqet pasqyrim të saktë të shpenzimeve, pasi projekti përfshin ndërtimin e dy klinikave në një objekt të vetëm. Si rezultat, ky shpenzim ka ndikuar edhe në projektin: “Projektimi dhe ndërtimi i
ndërtesës së Klinikës së Nefrologjisë” (18227).


Për realizimin e kontratës: “Ndërtimi i Objektit për klinikat Nefrologji dhe Hemato-Onkologji” janë realizuar shpenzime 943,570€, nga të cilat 649,964€ janë nga projekti “Ndërtimi i objektit për Klinikën
Hemato-Onkologji” (15710) dhe 299,606€ nga projekti “Projektimi dhe ndërtimi i ndërtesës së Klinikës së Nefrologjisë” (18227).

Kjo shpërndarje e shpenzimeve nuk reflekton saktësisht ndarjen e kostove
për secilën klinikë, pasi nuk ka specifikime të qarta mbi përkatësinë e punimeve për secilin klinikë veç e veç.
Gjithashtu, nga projekti: “Ndërtimi i objektit për Klinikën Hemato-Onkologji” (15710) janë realizuar 134,765€ të cilat lidhen me vendime gjyqësore që nuk kanë asnjë lidhje me projektin e buxhetuar.
Si rezultat, raportimet për progresin e projektit në raportin përmbledhës tremujor përmes PIP-it, nuk janë të sakta, thuhet në gjetjet e raportit. /IndeksOnline/