75 Mall Live Search
16:27 / E Hënë, 06 Korrik 2026 / OSH

Aurona Pelajt i ndalohet 5 vite të ushtrojë profesionin e infermieres

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i përgjithshëm- Divizioni Penal, me gjyqtarin e vetëm gjykues Alan Taranis, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurës Aurona Pelaj për veprën penale “sulm” nga neni 184 par. 3 nën par. 3.1 të KPRK-së, si dhe dënim plotësues – Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, ashtu që të pandehurës A.P. i ndalohet ushtrimi i profesionit të infermieres në kohëzgjatje prej 5 (pesë) vitesh, duke llogaritur nga dita kur aktgjykimi merr formën e prerë, ndërsa koha e kaluar në burg nuk i llogaritet në kohëzgjatjen e këtij dënimi plotësues.

E pandehura Pelaj obligohet që të paguaj shpenzimet e procedurës penale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumen prej 70 (shtatëdhjetë) euro si dhe taksen për Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit në shumën prej 20 (njëzetë) euro, të gjitha këto ne afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë se aktgjykimit. Ndërsa palën e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike gjykata e ka udhëzuar në kontest të rregullt juridiko civil.

Ndërsa e pandehura A. R. për veprën penale “sulm” nga neni 184 par. 3 nën par. 3.1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, është liruar sepse nuk është provuar se e pandehura A.R. e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar, dhe për të pandehurën R. K. , për veprën penale “sulm” nga neni 184 par. 3 nën par. 3.1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së, gjykata ka refuzuar akuzën për shkak se Prokurori i shtetit është tërhequr nga akuza.
Sa i përket shpenzimeve te procedurës penale për të pandehurat A.R. dhe R.K. bien në barrë të gjykatës. Pala e dëmtuar /përfaqësuesi i palës se dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore juridike, gjykata e ka udhëzuar në kontest të rregullt juridiko civil.